Kullat pushtojnë bregdetin/ Ekspertët: Ndërtohet më shumë sesa kërkon tregu, çmimet e fryra artificialisht

Kullat pushtojnë bregdetin/ Ekspertët: Ndërtohet më shumë sesa kërkon tregu, çmimet e fryra artificialisht

Ndërtimet shumëkatëshe në bregdet po shtohen me ritme të shpejta, ndërsa projektet e reja të miratuara dhe ato në shqyrtim po japin sinjale të qarta se qeveria synon të shtrijë kullat edhe në zonat turistike të vendit. 

 

Për këtë zhvillim diskutuan në emisionin “MCN Economy” tre ekspertë të tregut të pasurive të paluajtshme: Armand Shkëmbi, Orgest Beti dhe Ervin Demirxhiu.

 

Eksperti i pasurive të paluajtshme, Armand Shkëmbi, u shpreh kundër ndërtimeve të larta, duke theksuar se tregu shqiptar nuk ka ende kapacitetin dhe garancitë financiare për projekte të tilla.

 

Unë nuk jam për ndërtimet e larta. Shqipëria sot ka 2.5 milionë banorë dhe pjesa më e madhe jeton në shtëpi private. Problemi me kullat është se ndërtuesit shqiptarë nuk kanë eksperiencën e duhur për projekte të tilla. Gjithashtu, shumë prej tyre nuk e kanë kapitalin e siguruar për të ndërtuar projekte kaq të mëdha. Shumica e blerësve nuk presin 6-7 vite për përfundimin e tyre dhe kjo do të sjellë vështirësi në financim.

 

Ai shtoi se aktualisht ka një bum ndërtimesh, por kërkesa reale mbetet e paqartë.

 

Shumica e njerëzve në Tiranë dhe në bregdet blejnë për të rishitur, jo për të jetuar. Kur të përfundojnë këto ndërtime, ata që kanë blerë për spekulim do të kuptojnë se nuk ka aq shumë kërkesë sa mendohej. Çmimet në bregdet janë fryrë artificialisht dhe kërkesa nuk është aq e lartë.

 

Sipas Shkëmbit, bregdeti mbetet më i qëndrueshëm se Tirana për shkak të interesit nga diaspora shqiptare.

 

Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë e ndihmojnë shumë tregun e bregdetit shqiptar. Ka edhe të huaj që blejnë, por blerjet më të mëdha kryhen nga shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Të huajt kërkojnë edhe infrastrukturë mbështetëse, jo vetëm apartamente.

 

Nga ana tjetër, Orgest Beti theksoi se ndërtimi i kullave kërkon planifikim serioz dhe investime të mëdha në infrastrukturë.

 

Varet shumë se cila kompani është pas projektit dhe sa serioze është ajo. Për një kullë duhet një studim shumë i mirë, jo vetëm dëshira për të ndërtuar. Duhet parë infrastruktura, uji dhe kanalizimet. Një kullë 50-katëshe në Sarandë apo Vlorë duhet të jetë shumë e mirë menduar.

 

Ai vlerësoi se cilësia e kullave do të krijojë një treg të ri konkurrues në raport me apartamentet tradicionale.

 

Do të kuptohet në momentin që projektet të dalin në treg se cilësia e kullave nuk është e njëjtë me cilësinë e pallateve ekzistuese. Konkurrenca do të ndikojë edhe te çmimet.

 

Sipas Betit, kërkesa për apartamente në bregdet vijon të mbetet e qëndrueshme, kryesisht nga qytetarët e Tiranës dhe diaspora.

 

Kemi kërkesë edhe nga të huajt dhe nga fqinjët, por raporti i kërkesës nuk është aq i lartë sa pretendohet. Shqipëria ende nuk është një vend ku turizmi zgjat gjashtë muaj në vit, ndaj duhet punuar më shumë për të zhvilluar turizmin afatgjatë. Nuk mjafton të ndërtojmë vetëm beton, por duhet të përmirësojmë rrugët, shërbimet dhe menaxhimin e mbetjeve.

 

Ndërkohë, eksperti Ervin Demirxhiu u ndal te nevoja për më shumë garanci financiare në projektet e mëdha të ndërtimit.

 

Fakti që po jepen leje të tilla tregon se ka kërkesë për këto projekte. Por financimi mbetet çështja kryesore. Bankat duhet të futen më shumë në lojë dhe të garantojnë përfundimin e projekteve, jo vetëm për kullat, por edhe për projektet më të vogla, në mënyrë që qytetarët të kenë siguri.

 

Ai nënvizoi se bregdeti shqiptar ka tërhequr interes në rritje nga të huajt, jo vetëm për pushime, por edhe për jetesë.

 

Kemi shitje që në fazën e gropës edhe nga të huajt. Ka një kategori të huajsh, kryesisht pensionistë, që blejnë në bregdet për të jetuar. Në Golem, për shembull, jetojnë shumë italianë në kushte komode. Megjithatë, kemi ende shumë për të përmirësuar.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy