Profesori i Shkencave Politike në Kosovë, Dritëro Arifi, në një lidhje skype për MCN TV foli mbi marrëveshjen e arritur së fundmi mes Prishtinës dhe Beogradit lidhur me letërnjoftimet.
Arifi e konsideroi Serbinë një aktor jo racional që nuk i zbaton marrëveshjet ndërkombëtare, megjithatë e sheh si një fitore të parë të qeverisë së Kosovës. Arifi tha se kishte pritur një tjetër reagim nga kryeministri Rama, duke theksuar se Shqipëria duhet të ketë një rol më aktiv, që Serbia të detyrohet dhe të pranojë krimet e luftës.
S’ka marrëveshje të shkruar, është një zotim verbal i presidentit të Serbisë që të tërhiqet nga letrat për hyrje dhe dalje. Është e vështirë të parashikohet sepse Serbia është një aktor joracional. Në 100 vite Serbia nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare, por nuk i zbaton në tërësi ato, apo në mënyrën e duhur. Është pikënisje pozitive, është fitore e mirë e qeverisë së Kosovës drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por pa ndihmën e SHBA-ve as BE s’mund ta arrinte qëllimin final”.
Ndërsa u ndal te reagimi i Ramës, Arifi tha:
Po mos isha shqiptar do mendoja që e thotë një shtetas i Malit të Zi. Nga kryeministri shqiptar kisha pritur një reagim ndryshe, s’ka lidhje me ‘Ballkanin e Hapur’. Si shtet shqiptar reagimi duhet të ishte më i fuqishëm që Serbia të detyrohej të pranonte edhe krimet e luftës. Shteti shqiptar duhet të jetë më aktiv në këtë drejtim”.
Profesori i Shkencave Politike thekson se qeveria e Kosovës s’duhet të lëshojë pe as për targat, pasi simbolet tregojnë ushtrimin e sovranitetit. Ai vuri po ashtu në dukje rëndësinë e përfshirjes së SHBA-ve për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.
Është një afat prej dy muajsh, deri në fund të tetorit kanë afat serbët (për targat). Qëllimi është që simbolet e Kosovës tregojnë sovranitetin. Serbia s’po do të pranojë në asnjë formë sovranitetin e Kosovës. Shtetet normale vendosin reciprocitet, prandaj s’i pëlqen presidentit të Serbisë. Qeveria e Kosovës në këtë pikë s’duhet të lëshojë pe. Ne duhet të veprojmë si shtet sovran, bazuar në rregulla, ligje dhe Kushtetutë. Dialogu duket i largët sepse një pjesë të fajit e bart BE, sepse ia ka dhënë në një farë mënyre ndjenjën e fitores Serbisë. Pa një involvim të fuqishëm të SHBA-ve s’do kemi marrëveshje pas marrëveshje. Jemi larg sepse presioni duhet të jetë shumë më i madh. Vetëm kur Serbia të ndryshojë Kushtetutën mund të besojmë se jemi afër marrëveshjes”.



