Firmoset në Shtëpinë e Bardhë marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës. Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në praninë e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Lajmi e bëri fillimisht të ditur asistenti i presidentit Trump, Judd Deere.
“Presidenti Trump njofton se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik. Edhe një marrëveshje historike e arritur nga ky president, që e bën botën më paqësore dhe më prosperuese”, ka shkruar ai në Twitter.
Izraeli njeh Kosovën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të normalizojnë raportet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike, raporton Reuters.
Trump e ka bërë këtë deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një ditë tjetër e shkëlqyer për paqen me Lindjen e Mesme - Kosova me shumicë myslimane dhe Izraeli kanë rënë dakord të normalizojnë raportet dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike. Të tjera vende islamike dhe arabe do t’i ndjekin së shpejti!”, shkruan Trump.
Trump: Marrëveshje historike
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti amerikan, Donald Trump, e cilësoi atë historike. Ai ka thënë se shumë shpejt mund të vizitojë Kosovën.
“Me të vërtetë, është historike”, tha Trump, duke qëndruar përkrah dy udhëheqësve në Zyrën Ovale.
“Unë pres të shkoj në të dy vendet në një të ardhme jo shumë të largët”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan.
Hoti: Një hap i madh që afron njohjen finale
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e cilësoi arritje të madhe nënshkrimin e marrëveshjes. Ai tha se ky është një hap që afron dy vendet drejt njohjes finale. Hoti tha se çështjet e tjera do të diskutohen në Bruksel të hënën.
“Dua të falënderoj administratën amerikane. Ne presim të marrim shpejt njohje nga Izraeli dhe të vendosim marrëdhënie diplomatike. Është një arritje shumë e madhe. Edhe kësaj radhe, marrëveshja i hap rrugë normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sot është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve ekonomike. Kjo nuk është marrëveshje finale, është për bashkëpunim ekonomik. Unë e shoh si një hap të madh që afron njohjen finale. Të hënën do të jem në Bruksel në takim me presidentin Vuçiç”, tha ai.
Vuçiç: Nuk i kemi zgjidhur të gjitha, por është hap i madh
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se marrëveshja është një hap i madh, pavarësisht se nuk i zgjidh të gjitha problemet.
“Vlerësojmë përkushtimin tuaj për të stabilizuar rajonin dhe për të sjellë paqe e stabilitet. Sa i takon politikës, nuk i kemi zgjidhur të gjitha problemet, kemi diferenca. Por ky është një hap i madh”, tha ai.
President Aleksandar Vučić of Serbia thanked President @realDonaldTrump for his commitment to stability in the region. pic.twitter.com/044e4ro3Rn
— The White House (@WhiteHouse) September 4, 2020
Thaçi: Mirënjohës ndaj Trump-it dhe Grenellit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte i pari që e përshëndeti arritjen e marrëveshjes.
"Mirënjohës ndaj presidentit Donald Trump, dhe Richard Grenell për lidershipin e tyre në këtë proces”, ka shkruar Thaçi në Tuiter.
Thaçi ka thënë po ashtu se Kosova tani do të vazhdojë të punojë në zhvillimin ekonomik, për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe për konsolidimin e mëtejshëm në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.
Thaçi ka thënë po ashtu se Kosova beson në lidershipin dhe vizionin e SHBA-së, pasi sipas tij, "kjo i ka sjellë vetëm përfitime, si çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, themelimin e ushtrisë që do të përfundojë me integrimin në NATO, si dhe tash edhe zhvillim ekonomik".




