
Prej disa javësh, projektligji për barazinë gjinore ka ndezur debate të forta mes shoqërisë civile dhe politikës, veçanërisht mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas mazhorancës, drafti synon të forcojë barazinë mes grave dhe burrave, ndërsa përfaqësues të opozitës dhe të Koalicionit për Mbrojtjen e Familjes e shohin si një përpjekje për të zëvendësuar konceptin tradicional të gjinisë, burrë dhe grua, me nocione të reja që lidhen me identitetet gjinore.
E ftuar në emisionin “MCN Informacion”, Miranda Rira, anëtare e kryesisë së Partisë së Lirisë, e cilësoi draftin si të mbushur me një gjuhë ekuivoke, duke e konsideruar atë epilogun e një qasjeje disa vjeçare për të nxitur pranimin e komunitetit LGBT në shoqërinë shqiptare.
Në fakt, unë e shoh këtë çështje më shumë si një qytetare dhe si nënë që vlerëson traditën dhe kulturën tonë. Shoqëria shqiptare ka shumë probleme, por gjithashtu ka vlera dhe norma të bukura që duhen ruajtur. Familja është një prej tyre dhe duhet mbrojtur me fanatizëm.
Projektligji nuk është vetëm për barazinë gjinore, por “shkon përtej kësaj”.
E kam lexuar disa herë draftin dhe mendoj se nuk është thjesht një ligj për barazi mes burrit dhe gruas. Ai synon të rrisë të drejtat e grupit LGBTQ dhe të nxisë pranimin e tyre në shoqëri, madje të ndikojë edhe në orientimin e vlerave të pjesës tjetër të shoqërisë.
Rira shtoi se ligji përmban terma që, sipas saj, janë të paqartë dhe mund të interpretohen ndryshe.
Në sipërfaqe duket si një ligj i mirë, por ka shumë gjuhë ekuivoke.
Ka terma që semantikisht nënkuptojnë diçka tjetër. Për shembull, termi ‘gjini gjithëpërfshirëse’ bie ndesh me përcaktimin e qartë të gjinisë si femër dhe mashkull.
Projektligji është epilogu i disa përpjekjeve të viteve të fundit për të testuar reagimin e shoqërisë shqiptare”, duke iu referuar rasteve si “martesat simbolike të çifteve të të njëjtit seks” apo përdorimit të termave “prindi 1” dhe “prindi 2”.
Tani duket se është arritur deri në pikën që duan ta ligjërojnë me ligj.
Ky është një hap që kërkon guxim politik, por edhe përgjegjësi ndaj vlerave tradicionale të shoqërisë sonë.



