
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka nisur sot vizitën e tij në Kosovë, ku pritet të takohet me liderët e vendit, opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, për të biseduar për çështjen e dinarit serb.
Analisti Lulzim Veliu tha përmes një lidhje “Skype” me studion e lajmeve në MCN Tv se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin i shtyrë nga qeveria ka qenë i ngutshëm dhe i pakoordinuar.
Problematika e dinarit është prej vitesh, e sidomos pas pavarësisë kur monedhë zyrtare u shpall euro. Që nga ajo kohë jemi pasur qarkullimin e euros dhe dinarit. Mendoj se vendimi i BQK, por i shtyrë dhe i ndikuar nga qeveria ka qenë i ngutshëm, i pakoordinuar që nuk i sjell asnjë të mirë Kosovës dhe popullatës në atë rajon. Është dashur që të pritet deri në realizimin e marrëveshjes që është arritur. Tani me këtë vendim të BQK është bërë shumë politik është futur dhe në pjesën e negociatave dhe gjithçka që ndodh duhet të kalohet me negociata. Kjo është dëm i shkaktuar nga politika populiste e kryeministrit, në këtë rast i ndihmuar nga BQK.
Më tej, Veliu tha se deklarata e Escobarit mbrëmë ishte një nga vërejtjet më të ashpra të dëgjuara nga zyrtarët amerikanë për Kosovën.
Kjo deklaratë e Escobar-it ishte mbrëmë nga Brukseli, nuk ishte vetëm vendimi katastrofik, por edhe marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në. Për ta dokumentuar ai e ceku që kemi të bëjmë me problemin e qeverisë që e ka jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në, NATO-n. Një politikë e mbyllur në vete, që është e mirë për veshin e qytetarëve, por nuk është politikë që e ndihmon Kosovën dhe çon në zgjidhjen e problemeve. Ishte në nga vërejtjet më të ashpra të dëgjuara nga zyrtarët amerikanë, deklarata e mbrëmshme e Escobar.
Kurti me veprimet e tij, përfitimet nga këto veprime që po i bën sidomos me SHBA në aspektin e përgjithshëm janë veprime të dëmshme, janë veprime që në asnjë mënyrë nuk janë në interes të Kosovës. Politika të tilla populiste mund të ndihmojnë dhe i shkojnë përshtati vetëm politikave ruse që për fatin tonë të keq, shihet qartë që ndikimi i tyre në vendet e Ballkanit është duke u rritur.



