Vetëm në 24 orët e fundit në vend kanë ndodhur një seri ngjarjesh të rënda, si krime, vrasje në familje dhe vendin e punës, si dhe është sekuestruar një arsenal armësh në Tiranë. Gazetari Sokol Bregu duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv tha problemi i shëndetit mendor është një prej çështjeve alarmante në Shqipëri. Bregu vë në dukje se tre ngjarjet që lidhen me shëndetin mendor të autorëve nuk mund të parandaloheshin nga policia.
“Kur po i shihja një pas një mu kujtua paralajmërimi i bërë vjet nga Drejtoresha e Spitalit në Korçë, ajo tha që qarku i Korçës vetëm ambulantë që marrin qetësues janë 4 mijë. Shifrat ishin alarmante. Kur Korça ka 4 mijë, Shqipëria duhet të ketë dhjetëra mijëra. Kur themi ambulantë do të thotë që je gjithë kohën i acaruar.
Një janë zënë duke ngrënë bukë, një pse e preke kalin dhe tjetra pjata me proshutë. A mund të gjesh një emërues tjetër të këtyre të trejave? Jo. Shëndeti mendor ka një problem shumë të madh në këtë mes. Kemi probleme të rënda me shtimin e madh të atyre që duan mjekim prej depresionit, prej ankthit, është numër shumë i lartë dhe në rritje.
Problemi i shëndetit mendor në Shqipëri është një prej çështjeve më alarmante që duhet diskutuar. Në Manzë për çfarë ndodhi? Bëj kafe, mos bëj kafe. Ajo e Manzës lidhet me mentalitetin e zonës, por të tjerat lidhen të gjitha me shëndetin mendor. A mund të kishte ndonjë parandalim? Jo. Çfarë survejimi mund t’i bësh një ndihmës-kuzhinieri se para 4 vitesh ishte kapur me thikë?!”
Bregu tha ndër të tjera se ka një dëshirë për armatosje në Shqipëri, që kërcënon sigurinë publike.
“Dje ishin thika, 25 thika ka në shtëpi çdo njeri. Kjo e sotmja është ndryshe. Sot kemi shpëtuar jetët e minimalisht, për çdo armë një njeri. Ata që i blejnë këto armë s’i blejnë për t’i vendosur në bufe, i blejnë për të vrarë. Ka një dëshirë të madhe për armatosje në këtë vend. S’e di pse. Siguria publike kërcënohet nga kaq shumë armë. Po të mos kishte armë do ishte ndryshe, do ishin konfliktuar me grushta. Edhe grushti mund të shkaktojë vdekje, por grushti e ka 1/100, arma e ka 1/1”.



