Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar,Agim Rrapaj, duke folur në “Mcn Economy” tha që 5 organe kontrolli në Shqipëri s’kanë qenë efiçente, në lidhje me abuzimet e fondeve të IPARD-it në Shqipëri. Rrapaj vuri në dukje se tashmë OLAF ka ngritur një zyrë në Shqipëri ku do të kontrollojë online të gjitha ankesat e mundshme që mund të ndodhin gjatë gjithë përdorimit të fondeve.
“Ngrirja e fondeve të IPARD-it pati efekt negativ sa i përket atyre që kishin aplikuar, që kishin ndërtuar projekte, që kishin shpenzuar dhe janë shumë nga ata që s’përfituan nga fondet si rezultat i ngrirjes. Ka fermerë që punojnë për vete dhe për blegtorinë, që s’prodhojnë për treg, këta s’përfitojnë. Ata të paformalizuar nuk përfitojnë. Mbeten 100 mijë potencialisht për të aplikuar.
Kanë aplikuar te Ipard 2 rreth 1100, që kanë pasur mundësi të plotësojnë kriteret bazë. Fondet e IPARD janë për subjektet e formalizuara që plotësojnë kriteret bazë. Fituan vetëm 508, pjesa tjetër u skualifikua nga komisionet. S’kemi një subjekt deri më sot që të akuzohet për vjedhje. Duhet të kesh provat për ta quajtur hajdut. Kemi dy denoncime nga OLAF, dhe rezultoi që s’kishte objekt për vjedhje. Herën e dytë ka çuar për SPAK një denoncim tjetër që ka të bëjë me keqmenaxhim të fondeve. Për të shkuar te vjedhjet do na duhet pak kohë.
OLAF-i ka ngritur një zyrë në Shqipëri që do të kontrollojë online të gjitha ankesat e mundshme që mund të ndodhin gjatë gjithë përdorimit të fondeve. Zyra vihet në funksion dhe do njoftojë menjëherë OLAF-in në qendër. Është kontraktuar një kompani e huaj që ka kaluar në filtër kontratat e disbursuara në Ipard 2. Gjetjet çohen në Ministrinë e Financave, ia çon OLAF-it, qeverisë, Këshillit të Ministrave.
Nëse ka gjetje më tepër i çon edhe në organet e drejtësisë. 33 milionë nga 94 milionë janë gjetur shkelje. Po bëhet një audit. 5 organet e kontrollit ose s’kanë qenë efiçente, ose kanë qenë të paafta, ose kanë abuzuar me dëshirë. Një nga masat që është masa lider, duhej të hapej më parë, që asistenca teknike të jepej për këto studio konsulence”.



