Qindra qytetarë serbë janë tubuar në Mitrovicën e Veriut për të protestuar prezencën e një nate më parë të forcave speciale të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë.
Sheshi “Car Llazar” është vendi ku ata janë tubuar.. Ata po e cilësojnë këtë veprim si tentim për ta frikësuar popullatën serbe në këtë pjesë të vendit, raporton KTV.
Para protestuesve ka folur Aleksandër Piriç, teksa ka thënë se “jemi këtu sepse serbët në Kosovë po përballen me mungesën e lirisë dhe dhunën e pranishme, që po tentojnë ta tregojnë liderët nga lartë”.
“Ne nuk kemi të drejtë të lëvizim dhe të marrim vetë vendimet”, ka thënë ai.
Edhe Zoran Todiç, nga Leposaviçi, ka thënë se “qëllimi i Leposaviçit është një vendim i pakuptueshëm i Prishtinës”.
“Dje është evituar një eskalim i rëndë duke iu falënderuar Vuçiçit. Mesazhi i Prishtinës është i qartë që të na rrënojë jetën në këtë pjesë, por nëse ata mendojnë se jemi të frikësuar e kanë gabim. Derisa Qeveria e Serbisë është me ne, askush nuk mund të na frikësojë”, ka thënë Todiç, përcjell Koha.net. “Kosova është zemra e Serbisë dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë Todiç.
Ai ka thënë se “nëse përsëritet një incident i tillë u themi që do të organizohemi bashkë me shtetin serb që ta mbrojmë shtetin tonë”.
Në protestë pos flamujve serbë, ka edhe flamuj të kombinatit “Trepça”.



