
Opozita e bashkuar po mban protestën e nëntë kombëtare para Kryeministrisë. Protestues të mbledhur nga kryeqyteti dhe rrethet kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Me pankarta dhe thirrje që kërkonin largimin e kryeministrit dhe qeverisë, mbështetës të opozitës kanë protestuar para ndërtesës së qeverisë në mënyrë paqësore.
Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se largimi i kryeministrit Rama mbetet kusht i panegociueshëm.
“Zotohem para Europës dhe kombit se kjo betejë nuk mbaron me largimin e Ramës por kur të kemi vendosur kushtet për Shqipërinë si gjithë Europa. Largimi i Ramës është i panegociueshëm. Zgjidhje politike nuk do të ketë pa nxjerrë nga qelitë vëllezërit dhe motrat tona protestues për demokraci. Ta dijë mirë Edi Rama, ne nuk bëjmë asnjë hap pas. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor. Beteja vazhdon qytet më qytet e fshat më fshat. 30 qershori do të jetë varreza politike e Edi Ramës”, ka thënë ai
Rrethohet Kryeministria dhe Parlamenti
Tre orë para protestës së opozitës, ndërtesat e Parlamentit dhe Kryeministrisë janë rrethuar me gardh hekuri.
Pritet që protesta e paralajmëruar e opozitës, e cila nis në orën 20:00 të zhvillohet kryesisht para këtyre dy institucioneve.
Ndërkohë, për ruajtjen e sigurisë gjatë orëve të tubimit opozitar janë angazhuar 1 500 efektivë policie.
Nga rrethet drejt Tiranës janë nisur protestuesit e parë.
BE: Nuk tolerojmë dhunën
Delegacioni i BE në Tiranë i ka bërë thirrje opozitës të zhvillojë një protestë paqësore, ndërsa u kërkon të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në dialog.
Në mesazhin e publikuar në “Facebook”, delegacioni i BE thekson se është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e liderëve të protestës që të sigurojnë një tubim pa përplasje e tensione, ndërsa shton se përdorimi i eksplozivëve apo mjeteve të tjera që mund të lëndojnë këdo është krejtësisht i papranueshëm.
Mesazhi i BE-së
Ne e respektojmë dhe e mbështesim plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Në të njëjtën kohë, vazhdojmë të theksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore.
Ne jemi të shqetësuar nga episodet e fundit të dhunës që kanë ndodhur në disa rajone të vendit. Asnjë akt i dhunshëm apo formë e nxitjes për dhunë nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë.
Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e liderëve të protestës për të siguruar që demonstrimet sonte të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave. Përdorimi i eksplozivëve apo i çdo sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndime është krejtësisht i papranueshëm. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësinë që të vazhdojnë të veprojnë me përmbajtje, edhe nëse provokohen.
Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve për të treguar vullnet të fortë politik dhe për t’u angazhuar urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike aktuale, si dhe për të mbështetur dhe konsoliduar progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e reformave.



