Ilir Alimehmeti, anëtar i PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se ministri i Brendshëm Ervin Hoxha duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme, për mosveprimin e policisë gjatë seancës për Veliajn. Alimehmeti thekson që përgjegjës është ministri i Brendshëm, duke shtuar ligji nuk ka qenë i barabartë për të gjithë.
“Mua më vjen çik siklet që ne jetojmë në një paradoks të tillë që quhet Shqipëri që duhet ta mendojmë ne si është ligji. Në momentin që Garda e Republikës, i drejtohet Policisë dhe kjo s’i përgjigjet, atëherë i bie që shteti s’ekzistoka. Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre, pavarësisht emrave të ndryshëm që mund të jenë në procese. SPAK dhe GJKKO shprehen qartë që ne ju kemi kërkuar ndihmë, dhe ju s’na keni dhënë ndihmë, është cenuar siguria dhe shëndeti i gjyqësorit. Pra ligji s’qenka i barabartë për të gjithë! Nuk ishim të informuar tha ministri i Brendshëm. Çfarë pret ai që ta marrin në telefon kur dikush do të bëjë diçka të paligjshme?! Nëse s’kanë marrë leje, kanë pasur detyrë policia të ndërhyjë. Ky lloj ministri s’mund të jetë më ministër. Dorëheqja e tij duhet të jetë e menjëhershme. I bie që kur je i PS, Policia të thotë bëj çfarë të duash, dhe po të jenë qytetarë të tjera, jo, këtu duhet ndihmë. Hoxha është përgjegjës sepse e mbrojti me figurë këtë gjë, para gazetarëve dhe Parlamentit”.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit, Alimehmeti tha:
“Z.Rama tani që iu prek Veliaj, nr.2 i partisë, tani tregon fytyrën e vërtetë që ka para drejtësisë. Rama po shqetësohet për qasjen e drejtësisë së nesërme, prandaj thotë do ta fusim në shina, etj. etj. Ne e dimë qartë ndryshimin që ka ndodhur te investitorët e kësaj drejtësie”.
Alimehmeti tha që Këshilli Bashkiak s’po mblidhet me urdhër të Ramës dhe kryeqyteti është bllokuar pas arrestimit të Veliaj.
“Ligji i pushtetit vendor është shumë i qartë, dhe thotë që organi përfaqësues është këshilli bashkiak. Duhet të ishte thirrur një mbledhje urgjente. Pse nuk e thërret Romina Kuko mbledhjen e këshillit bashkiak. S’e thërret se ka marrë urdhër politik nga Rama. Këshilli bashkiak e vendos kryetarin. Nënkryetarja s’e ka fuqinë e plotë ligjore për të marrë vendime të mëdha. Është bllokuar Tirana komplet. Është precedent i rëndë dhe i hap rrugën të tjera shkeljeve”.



