
Pas protestave të njëpasnjëshme në Budapest kundër rizgjedhjes së qeverisë së djathtë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, këtë të shtunë dhjetëra mijëra opozitarë kanë kundërshtuar kontrollet në media dhe një fushatë ndaj organizatave jo-qeveritare.
Organizatorët thanë se më shumë se 100 000 njerëz morën pjesë në atë që ishte edhe protesta e dytë masive kundër qeverisë së Viktor Orban që prej zgjedhjeve të 8 prillit.
Protestuesit kërkuan unitet midis partive të opozitës, të cilët morën pjesë në tubim teksa valvitnin flamuj kombëtar dhe të BE-së.
Protestuesit pretendojnë se zgjedhjet u komprometuan nga mediat shtetërore pro-qeveritare dhe një numër në rritje i mediave private të mbështetur nga shteti të cilat gjithashtu janë të lidhura me Orban. Pikëpamja se zgjedhjet u ndikuan kryesisht nga njëanshmëria e mediave ka qenë e mbështetur nga vëzhguesit e OSBE-së.
Organizatorët thanë se media shtetërore ishte shndërruar në "makinë propagandistike" e kryeministrit.
Në protesta është parë pjesëmarrja masive e mbështetësve të partive nga të majta dhe të djathta nacionaliste, si dhe ambientalistët, të pavarur dhe të tjerë.
Fitorja e Orban - e cila u mirëprit nga partitë e krahut të djathtë dhe ato populiste në Evropë - duket se e ka inkurajuar atë në luftën kundër politikave të migrimit të BE-së dhe në betejën ndaj organizatave joqeveritare ndërkombëtare, si ajo Sorosit, të cilat i akuzon për ndërhyrje në punët e Hungarisë.
Të premten kryeministri hungarez akuzoi George Sorrosin se ka përkrahur opozitën. "Unë e di se ata nuk do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, ata do të vazhdojnë të organizojnë të gjitha llojet e gjërave, pasi kanë burime të pakufizuar financiare", tha Orban.
Orban e ka bazuar fushatën e tij pothuajse ekskluzivisht në politikat anti-migrimit, dhe që nga fitorja e tyre deputetët e partisë së Orban janë zotuar për të miratuar sa më shpejt projekt-ligjin, të cilin ata thonë se ka për qëllim të pengojë emigracionin e paligjshëm.



