Koncesionet në shëndetësi, Stojku: Mungojnë monitorimet zyrtare. Soko: Gjurma e vetme që lanë ishte gropa në buxhet (VIDEO)

Koncesionet në shëndetësi, Stojku: Mungojnë monitorimet zyrtare. Soko: Gjurma e vetme që lanë ishte gropa në buxhet (VIDEO)

Në vitin 2026 pritet të përfundojnë tre nga koncesionet më të debatueshme në sektorin e shëndetësisë, të cilat gjatë zbatimit të tyre kanë kushtuar rreth 500 milionë euro. 

 

Ndërsa qeveria pritet të vendosë për mënyrën se si do të ofrohen më tej këto shërbime, ekspertët mbeten të ndarë për ndikimin real që partneritetet publike-private kanë pasur në sistemin shëndetësor. 

 

Mjeku Edmond Stojku dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko, të ftuar në emisionin MCN Economy, vlerësuan se pas një dekade zbatim mungon një analizë e plotë mbi rezultatet konkrete të këtyre kontratave.

 

Mjeku Edmond Stojku theksoi se shëndetësia është sektori me kostot më të larta në çdo vend dhe se çdo model financimi duhet të matet me cilësinë e shërbimit që ofron. Ai u shpreh se partneritetet publike-private u prezantuan me synimin për të rritur standardet e shërbimit, por sipas tij, pas dhjetë vitesh nuk ka një vlerësim institucional mbi efektet e tyre.

 

Në aspektin parimor asgjë nuk jepet falas, aq më tepër që tregu i shëndetësisë është më i kushtueshmi në çdo vend të botës. Ministria e Shëndetësisë është barra më e madhe në buxhetin e shtetit dhe gjithçka lidhet me koston e shërbimit. 

 

U tentua modeli i partneritetit publik-privat që të merrej shërbimi maksimal, si në vendet perëndimore, por sot, pas 10 vitesh, është momenti për të bërë analizën dhe për të parë rezultatet. Problemi është se monitorimet zyrtare mungojnë. Ka vetëm pagesa dhe penalitete çdo vit, por nuk kemi monitorime zyrtare të koncesioneve në shëndetësi. Sa i përket sterilizimit, ai ka qenë gjithmonë një pikë kyçe e kirurgjisë, pasi pa sterilizim pacientët rrezikojnë infeksione fatale. 

 

E reja nuk ishte procesi i sterilizimit, por futja e pajisjeve kirurgjikale njëpërdorimshme. Ky ishte ndryshimi kryesor që solli koncesioni. Megjithatë, pas 10 vitesh nuk kemi një databazë të arritjeve dhe nëse fondet e shpenzuara për sterilizimin do të ishin investuar drejtpërdrejt në sistemin shëndetësor, sot shëndetësia do të ishte në një gjendje më të mirë.

 

Nga ana tjetër, eksperti i ekonomisë Pano Soko argumentoi se koncesionet nuk sollën transformimin e premtuar të sistemit shëndetësor, ndërsa theksoi se problemi kryesor mbetet mungesa e një modeli të qartë financimi dhe menaxhimi të shëndetësisë publike.

 

Koncesionet në fakt erdhën dhe ikën dhe, ashtu si erdhën, edhe u larguan pa ndodhur ndonjë ndryshim i madh. Gjurma e vetme që lanë ishte gropa në buxhet. Nuk u materializua cilësia që u reklamua në fillim me shëndetësinë falas dhe check-up-in, sepse në thelb u dha me koncesion një shërbim, ndërsa problemet reale të sistemit mbetën të pazgjidhura. 

 

Shqipëria duhet të zgjedhë modelin që do të ndjekë: nëse do të ndërtojë një shtet social që kujdeset për qytetarët, kjo ka kosto dhe shëndetësia kërkon financim. Nuk mund të mblidhen para nga qytetarët pa ofruar shërbimin që u takon. Koncesioni është vetëm një metodë financimi, por gjithçka varet nga qëllimi. 

 

Në rastin e sterilizimit, ideja nuk ishte përmirësimi i procesit, por përfitimi financiar. Shëndetësia u pa si një lopë për mjeljen e parave dhe jo si një sektor ku duhej investuar për qytetarët. Shëndetësia kërkon para dhe kontribute, por mbi të gjitha kërkon që fondet të përdoren për përmirësimin e shërbimit dhe jo për interesa të tjera.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy