Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcës Detare, tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se kryeministri Rama po e fut vendin në një spirale delikate të sigurisë dhe mbrojtjes.
Duke folur mbi kërkesën e vjetër turke për marrjen në përdorim të bazës detare të Pashalimanit në Shqipëri, Meçollari tha se një veprim i tillë do të prishte shumë balanca në raportet me Greqinë.
Ai thekoi se as Italia s’do ta pranonte një bazë të Turqisë në Shqipëri. Meçollari tha se skemat që po bën Rama në Porto-Romano, ku po ofron një bazë tjetër, nuk merr në konsideratë interesat e NATO-s dhe Shqipërisë.
I pyetur mbi kërkesën e Prokurorisë së Lezhës për heqjen e sekuestros preventive dhe pushimin e hetimit për ndërtimin e objektit 4-katësh në bazën detare ushtarake në Shëngjin, ai tha:
“Prokuroria s’po e trajton çështjen në bazë të padisë time, është një padi tjetër. Padia që kam bërë unë është në SPAK dhe s’është për çështjen e Kadastrës. Ligji për pronat parashikon që pronarit të ligjshëm s’i kthehet prona që e ka në planin e përhapjes. Si nuk përbëka vepër penale?! Dhënia e certifikatës së pronësisë brenda Forcës Detare përbën vepër penale”.
Teksa iu kërkua një koment mbi shpalljen i pafajshëm për shpifje, Meçollari tha: “Është një humor në mënyrën si ngremë akuzat, pasi jam akuzuar që kam shpifur. Në momentin që ka prova të besueshme që ka elementë të veprës penale, tregon që s’kam gënjyer, por kam thënë të vërtetën. Është një lloj presioni ndaj meje, sepse është kallëzimi i 3-të penal ndaj meje që e kam fituar”.
I pyetur mbi një postim të tij për bazën e Pashalimanit, Meçollari u shpreh: “Në 2019 qeveria shqiptare i ka kërkuar që baza e Pashalimanit të jetë pjesë e NATO-s. Dy tre muaj më pas ata kthyen përgjigje pozitive dhe do fillonin studimin. Studimi ka nisur në vitin 2021 dhe vazhdon akoma”.
I pyetur mbi kërkesën e vjetër turke për marrjen në përdorim të bazës, Meçollari tha:
“Ka një kërkesë të vitit 2018. Në 2020-ën ishte parashikuar marrëveshje, por dy ditë përpara ministri i Mbrojtjes së Turqisë s’u paraqitet, por duket se marrëveshja ka hyrë në axhendën e Ramës dhe Erdoganit. Unë e konsideroj veprim të pamatur, Shqipëria s’është e kërcënuar nga asnjë vend. Edhe Rusia s’ka kërcënim direkt. Ne jemi të rrethuar nga vende miqësore. Një bazë detare turke në Shqipëri do prishte shumë balanca. Mbrojtja e Shqipërisë garantohet nga NATO dhe fqinjët. Do prishte goxha balanca me fqinjët jugor”.
I pyetur se çfarë nën kupton me “bazë turke me pavarësi të plotë operacionale”, ai pohoi:
“Kjo nënkupton që anijet hyjnë-dalin, operojnë, pa miratimin e shtetit shqiptar. Kryeministri duhet të jetë shumë i kujdesshëm sepse mund të krijojë thyerje të rënda në ekuacionin e sigurisë ballkanike, dhe Shqipëria s’e ka këtë komoditet”.
Ish-zv.komandant i Forcës Detare nuk beson se baza do t’i jepet Turqisë, me gjithë dëshirën e kryeministrit Rama.
“Thelbi qëndron përse do përdoret kjo bazë nëse i jepet Turqisë. Shqipëria s’ka nevojë. Pse i duhet Shqipërisë një bazë detare turke në gjirin e saj, prandaj po them që Shqipëria po hyn në një skemë mbrojtje që i prish punë se sa i ndreq. Më duket si kundërpeshë ndaj Greqisë. Nuk besoj se mund të ndodhë. Kryeministri mund ta ketë dëshirën. Baza e Pashalimanit është ofruar si bazë e NATO-s, është duke u studiuar”.



