
Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha sot nga studio e lajmeve të MCN TV se ata që kanë fatet e Shqipërisë në dorë dhe që marrin përfitime duhet të mbajnë edhe përgjegjësi.
Sipas tij edhe pas samitit të Ballkanit Perëndimor në Slloveni do të ketë zvarritje të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që shtoi se mund të ketë një plan investimesh me qëllim për të mbajtur gjallë frymën e integrimit.
Intervista:
“Asgjë e Re nga Fronti i Perëndimit”. A ka të drejtë zoti Rama kur thotë se e ka humbur besimin si te BE-ja, ashtu edhe te vetë procesi?
Milo: Në këtë rast mund të them që ka të drejtë pavarësisht se përgjegjësia e tij për procesin duhet parë sepse nuk mund ti adresojmë kritikat BE pa parë brenda vendit. Nëse ne do të plotësonim standartet që kërkoheshin edhe ne do të ishim bërë pjesë e BE ashtu si Kroacia. BE ndodhet në një fazë kritike.
Refren i përsëritur është lufta kundër korrupsionit. A mos duhen prerë koka zoti Milo që BE të hapë negociatat. Ende asnjë zyrtar i lartë, përveç zotit Llalla nuk ka marrë një dënim për korrupsion?
Milo: Ata që kanë fatet e Shqipërisë në dorë, vendimmarrësit janë përfituesit e parë dhe duhet të jenë përgjegjësit e parë. Jo fitimet i kam për vete dhe përgjegjësitë për ju. Duhet të funksionojë fryma për të goditur elementë të politikës.
Kam edhe një pyetje për Kosovën, ne presim negociatat por Kosova heqjen e vizave. Këtu nuk është vetoja bullgare që i pengon vendimet!
Milo: Jo nuk është besoj, por është përgjegjësi e BE, mund të mos jetë vetoja Bullgare por vetoja e një nga 5 vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Nëse një vend kundërshton nuk miratohet. Liberalizimi i vizave për Kosovën është padrejtësi sepse Kosova nuk është se nuk i ka plotësuar standartet, por është çështje politike.
Pas samitit çfarë ndodh?
Milo:Besoj se do ketë zvarritje të procesit. Vendet e BP do përpiqen ti mbajnë me shpresë dhe mund të ketë një plan investimesh me qëllim për të mbajtur gjallë frymën e integrimit. Aq më tepër që në Janar e merr presidencën Franca që është skeptike dhe zor se do të marrë ndonjë hap. Zëvendësimi i fjalës kandidat me vend partner do të thotë shumë. Mund të shkojmë në statusin e Turqisë që vazhdon të jetë kandidate që prej 1999-ës.



