
Kryeministri Rama deklaroi sot se qeveria planifikon jetë pjesë në importin dhe në shpërndarjen e naftës në vend së bashku me aktorë të tjerë. Ai u shpreh kjo ndërhyrje do bëjë të mundur që të ketë një çmim nafte më të arsyeshëm dhe ekuilibrues për konsumatorët.
Gjatë takimit me fermerët, Rama tha:
“Duhet ta rishikojmë skemën e naftës. Ne po përgatitemi që të ndërhyjmë në sektorin e naftës. Në kuptimin e asaj që thashë më parë, qeveria do jetë aktive në krijimin e kushteve, skemave në bashkëpunimin me sipërmarrjen dhe faktorin ekonomik për të rritur të ardhurat e njerëzve. Duhet të ndërtojmë një proces të ri, ku qeveria do jetë pjesë forcave në sektorin e naftës. Ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët”.
Po ashtu kreu i qeverisë u shpreh se Autoriteti i Kontrollit Ushqimor duhet të pezullohet menjëherë dhe të ngrihet një komision për filtrimin e burimeve njerëzore të saj. Sipas Ramës AKU më shumë po shkakton dëm.
“Në të njëjtën kohë, duhet të pezullohet veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU). AKU-ja duhet të ndalohet me urgjencë të vazhdojë të veprojë, sepse më shumë se sa të miratojë, ajo po shkakton dëm. Duhet të pezullohet AKU-ja dhe të ngrihet një komision i posaçëm për të analizuar të gjitha burimet njerëzore të AKU-së. Procesi i bashkimit të inspektoriateve, i parashikuar me ligj, duhet të kalojë në një proces seleksionimi të kujdesshëm. Në këtë komision duhet të jetë pjesë edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës”.



