
Baza detare e Sarandës do të mbetet nën sekuestro. Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kompanisë “Marina Bay Saranda” për të shfuqizuar sekuestron e vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Lidhur me këtë, gazetari Xhevair Zhabina në ‘Mcn Live’ deklaroi se Gjykata e Lartë dhe ajo e Posaçme kanë miratuar kërkesën e SPAK për të sekuestruar bazën e Sarandës dhe për ta rikthyer atë në funksion të forcës detare të cilën praktikisht se kishte këtë pronë që nga 2022, kohë kur qeveria vendosi t’ja kalonte këtë pronë dy kompanive, Kastrati dhe Konkord për ndërtimin e një kompleksi “Marina Bay Saranda”. Ai tha se kishte dyshime prandaj nisi dhe një hetim, por në funksion të kësaj akuze janë pyetur dhe zyrtarë që janë ish ministrja Xhaçka dhe një sërë zyrtarësh të tjerë që janë marrë me procedurat e kalimit të kësaj prone te dy kompanitë. Sipas tij gjykata e lartë ka bërë kthimin e pronës sipas formës që i takon ligjit. “SPAK i ka kryer të gjitha hetimet e tij dhe për këtë rast jemi drejt fundit të hetimeve dhe mund të kemi zyrtarë që mund të jenë në bankën e të akuzuarve dhe të përgjigjen për të. Vendimi konfirmon SPAK në të treja shkallët e gjyqësorit që aty ka ndodhur një shkelje. Tani mbetet vetëm se kush nga zyrtarët e ka kryer këtë shkelje, ne aty kemi parë Xhaçkën, Bardhyl Kollçakun, pastaj kemi parë dhe zyrtarë të tjerë që janë pyetur për mënyrën se si është dorëzuar kjo pronë tek firma, prandaj mbetet vetëm që SPAK të përcaktojë se kush nga këta zyrtarë ka shkelur ligjin”.



