Drejtuesi i “Qëndresës Qytetare” Rigels Xhemollari foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi kërkesën drejtuar SPAK, ku kërkohet nisja e hetimeve penale për 22 kryebashkiakë të vendit. Xhemollari vë në dukje se janë evidentuar kryebashkiakë që kanë kryer vepra penale, ku më kryesorja është përdorimi i aseteve publike në funksion të PS-së. Duke folur mbi Reformën Zgjedhore, Xhemollari theksoi se është propozuar rritja e sanksioneve për shkelësit, ku gjoba sipas tij duhet të jetë së paku 5 mijë euro.
Qëndresa Qytetare nisur nga vendimet që ka marrë KQZ, nëpërmjet organit të vet Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, ka administruar të gjitha vendimet që kanë rënduar mbi kryebashkiakët e vendit gjatë fushatës zgjedhore të 14 majit dhe kemi evidentuar se veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë dy elementë të veprave penale: Shpërdorim detyre dhe përdorimit të funksionit publik për qëllime elektorale. Së pari këta kryebashkiakë kanë lejuar veprimtari të ndaluara nga KQZ. Së dyti, nuk kanë përcaktuar vendet e afishimit të materialeve propagandistike për subjektet e tjera zgjedhore, duke cenuar garën e barabartë. Së treti dhe më e rëndësishmja, kanë përdorur asete publike në funksion të mazhorancës, si shkolla, spitale, nëpunës publik, dhe asete të tjera. Ajo që ne duam të shtyjmë më tej është një hetim i thelluar nga Prokuroria e Posaçme për të shkuar përtej dënimit administrativ, në një hetim penal, për të parë nëse ka figura të veprave penale, që në analizën tonë ekzistojnë. Kemi të bëjmë me gjoba të ulëta deri në nivel qesharak. Ka pasur dhe gjoba 30 euro. Kemi evidentuar një fenomen, ku një pjesë e kryebashiakëve janë përsëritës në sjelljen e tyre, dhe ne na lindin dyshimet që ashtu mund ta kenë shpërdoruar detyrën edhe për paratë publike dhe administratën publike. Disa ndodhen nën hetim penal për çështje të tjera, disa janë të dënuar për shpërdorim detyre e korrupsion. Administrata publike duhet të ndahet nga partia. Ajo që ka dalë si problematikë në zgjedhjet e fundit ka qenë që verifikimi i kandidatëve është bërë pasi ata janë zgjedhur në detyrë. Ne iu drejtuam komisionit për reformën zgjedhore me 4 pika që përmirësonin keqpërdorimin e burimeve publike, por rrisnin edhe nivelin e sanksioneve nëse do t’i përdornin këto asete. Minimalisht kemi propozuar që gjoba të shkojë në nivelin e gjobës 5 mijë euro. Së dyti sot partitë politike e shohin reformën zgjedhore në aspekt të interesave private, nuk e sheh njeri si mundësi për të përmirësuar qasjen e qytetarëve në zgjedhje. Ndoshta do duhet një presion më i lartë ndërkombëtar që dot a bënte reformën më transparente”.



