
Rusia nisi ditën e sotme sondën e saj të parë në Hënë pas 47 vitesh, në një mision të projektuar për t’i dhënë një hov industrisë hapësinore të vendit.
Sonda ruse do të qëndrojë në Hënë për një vit dhe do të marrë mostra nga sateliti i tokës për kryerjen e kërkimeve shkencore afatgjata, tha agjencia ruse e hapësirës.
Pak ditë më parë ishin indianët ata që nisin anijen e tyre kozmike drejt Hënës. Agjencia hapësinore e Indisë publikoi imazhet e para të Hënës të marra nga anija kozmike Çandrajan-3, e cila hyri në orbitën hënore të shtunën.
Ndërkaq, edhe amerikanët me kinezët kanë nisur një garë të ethshme hapësinore mes tyre.
Sipas shefit të operacioneve hapësinore të SHBA-së, gjeneralit amerikan Bradley Chance Saltzman, hapësira po shfrytëzohet për të zgjeruar arsenalin e armatimit.
Që në vitin 1985, Pentagoni përdori një raketë për të shkatërruar një satelit në hapësirë.
Kina bëri të njëjtën gjë në vitin 2007 dhe India në 2019. Ndërsa në fund të vitit 2021, Rusia shkatërroi një nga satelitët e saj me një raketë të lëshuar nga Toka, në një shfaqje force që u dënua si akt i papërgjegjshëm edhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.



