Instituti për Bashkitë e vendit ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend, duke theksuar nevojën për mobilizim të menjëhershëm të të gjitha strukturave shtetërore dhe angazhim qytetar.
Në një postim zyrtar, Instituti për Bashkitë ka kërkuar mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Instituti gjithashtu thotë se duhet të bëhet edhe një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara.
Instituti bën thirrje për kujdes maksimal nga banorët e zonave të prekura dhe atyre me rrezik të lartë, duke i ftuar të ndjekin me përpikmëri udhëzimet e dhëna nga autoritetet përgjegjëse si Ministria e Mbrojtjes, drejtuesit vendorë dhe Drejtoria e Emergjencave Civile.
Në deklaratë theksohet nevoja për të thirrur urgjentisht Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile dhe për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, si një hap i domosdoshëm për të adresuar situatën me mjetet dhe mbështetjen që kërkon ligji për emergjencat civile.
Përballja me flakët, sipas Institutit, duhet të fokusohet tani në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe mbrojtjen e pronës, ndërkohë që pas kalimit të fazës më të rëndë, kërkohet një vlerësim i detajuar dhe realist i dëmeve, ndjekja e procedurave për kompensim dhe zbatimi i masave për rikuperimin e plotë të zonave të prekura.
Instituti për Bashkitë Shqiptare riafirmon angazhimin e tij të plotë për të mbështetur bashkitë në çdo hap të menaxhimit dhe rimëkëmbjes nga kjo krizë, duke apeluar për unitet, bashkëpunim dhe vendimmarrje të shpejtë në përballimin e kësaj sfide të rëndë natyrore.



