Varri i periudhës romake në Bulqizë/ Nikolli: I përket një njeriu të pasur me emrin Gelliano, me dedikim drejtuar perëndisë Jupiter

Varri i periudhës romake në Bulqizë/ Nikolli: I përket një njeriu të pasur me emrin Gelliano, me dedikim drejtuar perëndisë Jupiter

Një zbulim i rëndësishëm arkeologjik është bërë së fundmi në fshatin Strikçan të Bulqizës, ku arkeologët e Institutit të Arkeologjisë kanë identifikuar për herë të parë një varr monumental të periudhës romake, unik për këtë zonë.

Arkeologu Erikson Nikolli, në një intervistë për “MCN Informacion”, ka dhënë detaje konkrete mbi këtë gjetje të rrallë.

Në këtë vendndodhje kishim të dhëna që nga koha e komunizmit për praninë e objekteve arkeologjike. Vendosëm të nisnim gërmimet për të evidentuar pasurinë kulturore që mund të fshihej nën tokë. Fillimisht menduam se kishim të bënim me një bazilikë paleokristiane, por shumë shpejt u bë e qartë se kishim përballë një varr monumental të periudhës romake. 

Sipas Nikollit, monumenti përveç arkitekturës së veçantë përmban edhe të dhëna të rëndësishme epigrafike. 

Për herë të parë në zonën e Dibrës është zbuluar një mbishkrim romak bilingual i cili u kushtohet individit të varrosur, me emrin Gelliano, një emër romak i dokumentuar si dhe një dedikim drejtuar perëndisë romake Jupiter, perëndisë më të rëndësishme të panteonit romak.

Ka dy mbishkrime të ndryshme. I pari është drejtpërdrejt i lidhur me varrin dhe përmban emrin e të ndjerit, Gelliano. I dyti, që është ende në proces interpretimi, do të ndihmojë në saktësimin e datimit dhe kontekstit historik të periudhës romake në këtë zonë. 

Përmendja e Jupiterit, nuk është e rastësishme, kjo tregon se Gelliano ka qenë një personazh me status të lartë, ndoshta një zyrtar në administratën romake ose një qytetar i pasur. Dedikimi hyjnor lidhet me rolin dhe pozitën që ai ka pasur në shoqëri.

Varri edhe pse i grabitur që në periudhën e lashtësisë por dhe më pas, përmbante një pjesë të inventarit, i cili përbëhej nga enë qelqi të tipologjive të ndryshme, krehër kocke, thika dhe ruhej një pjesë e madhe e tekstilit e thurur me fije ari, me të cilin individi ka qenë varrosur. Varri është ideuar në tre ambiente: dhoma e varrimit, paradhoma dhe shkallarja monumentale.

Zbulimet nuk ndalen këtu, por në afërsi të varrit monumental është zbuluar dhe një tjetër mbishkrim funerar, i cili pritet të analizohet më tej për shkak të gjendjes së dëmtuar të tij.

Materiali ndërtimor kryesisht përbëhet nga gurë të përmasave të mëdha të punuara në trajtë kornizash të cilat janë marrë nga gurore larg lokalitetit në fjalë.

Inventari, teknika e ndërtimit si dhe të dhënat epigrafike e datojnë këtë monument unikal në shekujt III-IV e.s. Pritet që zbulimet e mëtejshme të nxjerrin të dhëna të reja të cilat do të pasurojnë hartën arkeologjike të territorit tonë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy