Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, shpjegoi sot në Parlament aktin normativ, që është prezantuar nga kryeministri Rama si paketa “anti-KÇK”. Lleshaj tha se paketa që pritet të miratohet sot nga maxhoranca nuk lë vend për subjektivizëm.
“Akti normativ, formulë e thjeshtë dhe inovative. As policia vetë nuk mund të ketë interpretim subjektiv. Të gjithë do të kalojnë në proces. Bëhet fjalë për të dënuar në Shqipëri dhe jashtë saj. Të gjithë do t’i nënshtrohen këtij procesi. E reja është fakti se policia dhe prokuroria nuk kanë barrën e provës dhe as të hetimit. Kanë vetëm pasqyrimin e rasteve në gjykatë dhe janë subjektet atë që kanë barrën e provës. Kjo e bën të pamundur subjektivitetin në vlerësim. Ligji parashikon një kohë të kufizuar zbatimi më 31 dhjetor 2020”, tha ai.
Sipas Lleshajt, pavarësisht sulmeve me karakter politik, deri tani aksioni nuk ka pasur kontestime.
“Pra, ligji është ndërtuar mbi baza solide dhe do të shkojë drejt një përfundimi të suksesshëm. Janë sekuestruar në kushtet e emergjencës shtatë objekte që u përkasin 7 shtetasve, 71 automjete, 7 prej tyre mjete të blinduara. Janë në proces 37 subjekte të tjera”, tha ai.
Lleshaj kërkoi miratimin e ligjit me 100% të votave.



