Daniela Blei
Në vitin 1905, kur tuberkulozi pllakosi Shtetet e Bashkuara dhe amerikanët jetuan me frikën e sëmundjes, një zyrtar shëndetësor i Qytetit të Nju-Jorkut iu drejtua Akademisë Amerikane të Mjekësisë, duke kërkuar ndryshime në shkollat e vendit. Ai vinte në dukje se dritaret në klasat amerikane hapeshin vetëm përgjysmë dhe duhej të zëvendësoheshin menjëherë me dritare të stilit francez për të "lejuar që dyfishi i sasisë së ajrit të ndotur të dalë dhe të hyjë ajri i pastër". Çdo shkollë duhet të ketë një shesh lojërash të madh, vazhdoi ai, dhe ajrosje më të mirë në klasë. Klasat duheshin larë çdo ditë dhe një "plan-program i arsyeshëm" duhej të përfshinte "sa më shumë mësim në natyrë".
Zyrtari ishte S. Adolphus Knopf, një ekspert gjerman për tuberkulozin dhe themelues i Shoqatës Kombëtare të Tuberkulozit, e cila u bë Shoqata Amerikane e Mushkërive. Si shumë mendje kryesore të brezit të tij, Knopf ndoqi një qasje ndaj shkencës që u informua nga parimet raciste të eugjenikës. Për Knopf, ngadalësimi i përhapjes së tuberkulozit - një sëmundje infektive e dyta pas gripit për vdekshmërinë e saj - kërkonte investime në trupa të shëndetshëm, të rinj për të parandaluar rënien racore, kombëtare dhe madje edhe ushtarake. Deri në vitin 1915, Knopf argumentoi se "duhej bërë rregull që shkollat të ishin në mjedis të hapur”.
Sot, ndërsa prindërit përballen me mbylljen e shkollës dhe mundësinë e shumë muajve mësim në distancë, disa po pyesin pse shkolla nuk mund të bëhet jashtë, ku rreziku i transmetimit të Covid-19 është më i ulët. Aktualisht nuk ka plane në shkallë të gjerë në SHBA për t’i zhvendosur klasat në mjedis të hapur, por kjo nuk është për mungesë të precedentit. Në fillim të shekullit të 20-të, kur tuberkulozi vrau një në shtatë njerëz në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, shkollat në natyrë u përhapën, së pari në Gjermani dhe pastaj në të gjithë botën. Mjekët dhe zyrtarët e shëndetit publik shqetësoheshin se qytetet e mbipopulluara dhe apartamentet e ngushta ishin të panatyrshme dhe të pashëndetshme, duke pasur parasysh mungesën e ajrit të freskët dhe rrezet e diellit, dhe se fëmijët - bashkëpunonin brenda në pjesën më të madhe të ditës - ishin veçanërisht të prekshëm nga tuberkulozi. Zgjidhja ishte të zhvendosej shkolla jashtë, ku fëmijët "do të mësonin të donin ajrin e pastër", sipas Knopf. Atje, «fëmija me tuberkuloz» nuk do «të ishte një rrezik për shokët e tij».
Më 1 gusht 1904, shkolla e parë në botë në mjedis të hapur mbajti mësime për "fëmijët delikatë të familjeve në nevojë" në një pyll me pisha në Charlottenburg, një qytet pranë Berlinit. Ideja për një Waldschule, ose shkollë pyjore, erdhi nga Bernhard Bendix, një pediatër në Spitalin Charité të Berlinit dhe Hermann Neufert, një inspektor i shkollës lokale. Adolf Gottstein, një epidemiolog dhe zyrtari kryesor mjekësor i Charlottenburg, punoi për të planifikuar shkollën dhe për të siguruar fondet komunale. Shteti e mirëpriti idenë. Tuberkulozi kërcënonte shoqërinë gjermane dhe efektet e saj shkatërruese e shndërruan shëndetin e fëmijëve në përparësi kombëtare.
Në vitin 1904, Gjermania regjistroi 193 8 vdekje nga tuberkulozi për çdo 100 000 njerëz. (Për hir të krahasimit, Shtetet e Bashkuara aktualisht po regjistrojnë rreth 52 vdekje për çdo 100 000 njerëz gjatë pandemisë Covid-19.) Sipas ekspertëve të shëndetit publik, ventilimi joadekuat dhe higjiena e dobët ishin shkak: dhomat e mbushura me njerëz, ajri i bllokuar, ndarja e shtratit në familjet e klasës punëtore dhe shumë orë pa lëvizje të kaluara mbyllur brenda. "Si mjekët, ashtu edhe publiku ishin shumë të shqetësuar për tuberkulozin", thotë Paul Weindling, profesor në Universitetin Oxford Brookes të Anglisë. "Kishte shumë udhëzime të distancimit shoqëror në kontekste të ndryshme shoqërore, si dhe përpjekje për të rregulluar sjelljen personale."
Mungesa e ilaçeve për të trajtuar sëmundjen dhe ajo e një vaksine, bëri që profesionistët e shëndetit t’i përqendronin energjitë e tyre në reformimin e sjelljes personale dhe mjedisit. Pankartat dhe posterat publikë paralajmëronin kundër pështyrjes në tokë, një praktikë e zakonshme. Zyrtarët shëndetësorë rekomanduan ajër të pastër dhe ushtrime fizike, kërkuan ulje të dendësisë së banesave dhe bënë thirrje për ndërtimin e terreneve të lojërave dhe parqeve për të shërbyer si "mushkëritë" e qytetit. "Ajri, drita dhe hapësira u bënë përparësitë e arkitektëve, zyrtarëve komunalë dhe ekspertëve të shëndetit publik," shkruan Weindling në librin e tij “Shëndet, Garë dhe Politikë midis Unifikimit Gjerman dhe Nazizmit”.
Vdekjet e fëmijëve nga tuberkulozi mbetën relativisht të rralla, por zbulimi nga mjeku gjerman Robert Koch i bacilit të tuberkulozit në 1882 çoi në një "provë tuberkuline" që zbuloi një numër të madh të fëmijëve të infektuar, edhe pse nuk shfaqnin simptoma. Ky zbulim u bë edhe më shqetësues nga një tjetër në 1903: Infeksioni i tuberkulozit në fëmijëri mund të bëhej latent ose i fjetur, për t’u riaktivizuar në moshën e rritur, duke shkaktuar sëmundje dhe vdekje. Në fjalimin e tij të pranimit të Çmimit Nobel në 1905, Koch konfirmoi se tuberkulozi ishte një sëmundje e ajrit: "Edhe pikat më të vogla të mukusit të lëshuar në ajër nga pacienti kur kollitet, pastron fytin e tij dhe madje flet, përmbajnë bacile dhe mund të shkaktojnë infeksion". Fjalët e Koch shërbyen si një thirrje për veprim. Tuberkulozi nuk mund të mposhtej, por përhapja e tij mund të kufizohej në rrugë, vende publike dhe shkolla.
Në bazë të një planit të hartuar nga zyrtarët për shkollën në mjedis të hapur, ndërtuesit instaluan një pavijon, kopshte, zona aktivitetesh dhe kasolle të hapura, disa të pajisura me tavolina dhe stola për mësime. Territoret e shkollës përfshinin gjithashtu një kasolle më të madhe për vaktet, një strehë të mbyllur për ditët me shi dhe periudhat e pushimit, dhomën e një mësuesi, një kuzhinë, tualete dhe një "galeri shërimi", një strukturë e veçantë e krijuar për të maksimizuar ekspozimin në diell. Ndryshe nga normat mbizotëruese dhe në përputhje me qëllimet e edukatorëve përparimtarë, djemtë dhe vajzat nuk u ndanë kurrë. Ndërsa shkolla mesatare në Prusi - shteti më i madh dhe më i populluar i Gjermanisë - numëronte dy metra katrorë për një nxënës, studentët në shkollën pyjore të Charlottenburg shijuan 40 të tilla.
Shkolla pyjore në Charlottenburg izoloi fëmijë që ishin "kontakte tuberkulozi", në rrezik për ta marrë sëmundjen në shtëpi, ose "anemik dhe të kequshqyer", një gjendje paraekzistuese që besohej se rrit rrezikun e infeksionit. Bendix dhe Neufert kishin në fokus fëmijët e klasës punëtore të qytetit, të cilët rezultuan në studime të "tuberkulizuar" me ritme më të larta. Që nga viti 1899, kur Kongresi Ndërkombëtar për Tuberkulozin u mblodh në Berlin dhe diskutoi, ndër të tjera, gjendjen e punëtorëve, ekspertët e shëndetit publik u shqetësuan se zinxhiri i infeksionit nuk do të prishej kurrë pa aksesin në "ajër të hapur" në shtëpi ose në një sanatorium, njëfarë pushimi i ngjashëm me llixhat për ata që mund ta përballonin atë. Shkolla pyjore siguroi një furnizim të qëndrueshëm me ajër të pastër për fëmijët e punëtorëve. Gjysma e mësuesve të shkollës ishin ish-pacientë në sanatorium, ku ata ishin shëruar tashmë nga tuberkulozi.
Shkolla e vogël pati aq shumë aplikantë sa u zgjerua për të akomoduar 250 studentë. Ajo që filloi si një eksperiment lokal, tërhoqi dhjetëra vizitorë të huaj në vetëm disa muaj dhe u bë një sensacion ndërkombëtar. Në vitin 1908, shkollat në mjedis të hapur po funksiononin në Britani, Francë, Belgjikë, Zvicër, Spanjë dhe Itali. Po atë vit, shkolla e parë në natyrë u hap në Shtetet e Bashkuara, në Providence, Rhode Island, në fund të dimrit. Puna e dy grave mjeke — Mary Packard, gruaja e parë e diplomuar në Shkollën e Mjekësisë Johns Hopkins dhe Ellen Stone, themeluesja e Lidhjes së Providencës për zhdukjen e tuberkulozit — Shkolla e Hapur me Ajër e Providencës ishte vendosur në një ndërtesë të shkollës së vjetër, ku një mur me tulla ishte hequr dhe zëvendësuar me dritare të mëdha që mbeteshin gjithmonë të hapura. Për të mbrojtur 25 "fëmijë delikatë" të shkollës nga të ftohtit u siguruan dorashka leshi, kapele, këpucë etj. Midis 1910 dhe 1925, qindra shkolla në natyrë "të rrënjosura në kontekste të ndryshme kulturore", ndërsa ishin në kërkim të modelit gjerman, u hapën në të gjithë botën, sipas Anne-Marie Châtelet, një historiane e arkitekturës në Universitetin e Strasburgut.
Në prag të Luftës së Parë Botërore, SHBA numëronte rreth 150 institucione në mjedis të hapur në 86 qytete. Pas çdo shkolle në natyrë ishte një shoqatë anti-tuberkuloz që përfshinte mjekë. Këto grupe vullnetare ishin një prani e përhapur por në rritje në jetën amerikane - kishte 20 shoqata anti-tuberkuloz në 1905 dhe 1 500 në 1920.
Ashtu si me shumë gjëra që lidhen me arsimin, themeluesit e shkollës Providence u drejtuan nga Gjermania. Që nga vitet 1840, kur Horace Mann, sekretar i atëhershëm i Bordit të Arsimit të Masaçusetsit, udhëtoi në Prusi për të raportuar për shkollat e para falas dhe të detyrueshme në botë, gjenerata të arsimtarëve amerikanë u dyndën në tokat gjermane për të studiuar gjithçka, nga programet mësimore dhe udhëzimet, te arkitektura e shkollës dhe ventilimi në klasë. Shkolla e hapur nuk ishte përjashtim.
Pasuan shkollat e hapura në Boston, New York, Chicago, Hartford, Rochester dhe Pittsburgh, secila prej tyre ishte udhëzuar nga një grup lokal anti-tuberkuloz. Ndryshe nga Waldschule dhe homologet e saj në parqe në periferi të qyteteve evropiane, këto shkolla ishin të vendosura në zona të dendura urbane. Për arsimtarët amerikanë që përballeshin me sfidat e rritjes së regjistrimeve - rezultat i urbanizimit të shpejtë, imigracionit dhe zbatimit të ligjeve të shkollimit të detyrueshëm - shkollat në natyrë premtonin një lehtësim. Të paktën do të hiqnin fëmijët në rrezik "nga ajo që shumë ekspertë shëndetësorë e konsideruan atmosferën e mbinxehur dhe të dëmshme të dhomës tipike të shkollës", shkruan Richard Meckel, një profesor i Studimeve Amerikane në Universitetin Brown, në një artikull mbi historinë e hershme të shkolla, "dhe t'u siguronte atyre një ekspozim të qëndrueshëm ndaj ajrit të ftohtë, i cili besohej gjerësisht se nxiste forcën dhe fuqinë duke stimuluar oreksin dhe rriste aktivitetin e frymëmarrjes dhe atë vaskulare". Ishte kjo linjë e të menduarit që tërhoqi mbështetjen nga lëvizja eugjenike. "Eugjenicistët i japin përparësi shoqërisë më të gjerë dhe brezave të ardhshëm," thotë Weindling, "dhe shumë menduan se promovimi i fitnesit mund të parandalonte infeksionet, të cilat justifikonin shkollat në mjedis të hapur".
Në të dy anët e Atlantikut, ekspertët e shëndetit e shihnin qytetin si një terren ushqyes për sëmundjet, ku tuberkulozi do të vazhdonte tërbimin e tij vdekjeprurës nëse kushtet për punëtorët dhe familjet e tyre nuk përmirësoheshin. Profilaksia në ajër të hapur ishte në dispozicion për klientët që paguanin në një sanatorium, por jo familjet e punëtorëve ose të varfërve. Sot, ndërsa ekspertët e shëndetit publik theksojnë rëndësinë e ventilimit dhe ajrit nga jashtë, shqetësimet për punëtorët që përballen me rrezikun më të lartë të ekspozimit ndaj Covid-19, janë kthyer.
Kështu është kthyer, gjithashtu, edhe interesi për shkollat në natyrë. Sipas raportimeve të fundit, më shumë se 250 "parashkollorë dhe kopshte me bazë natyre" po operojnë në SHBA, shumica të hapur prej rreth një dekade. Ashtu si frika e fillimit të shekullit të XX se fëmijët e qytetit ishin shkëputur rrezikshëm nga natyra, shqetësimi i sotëm është se koha para ekranit ka eklipsuar lojën në natyrë.
Dhe ndërsa shkollat në ajër të hapur të një shekulli më parë u krijuan për familjet e punëtorëve - për qëllime të shëndetit publik dhe idealeve nacionaliste - shkolla në natyrë dhe të mësuarit në natyrë, tani në rritje në të gjithë vendin, sjellin një tjetër demografi. "Shkollat në natyrë në Shtetet e Bashkuara kanë tendencë të mbushen me fëmijë të bardhë, të klasës së lartë", vërejti Shoqata e Oregonit për Edukimin e Fëmijëve të Rinj në 2018. Nuk ka gjasa që gjëra të ndryshojnë, pasi mbyllja e shkollave vetëm ka përshpejtuar boshllëqet në mundësitë arsimore.
Ndërsa më shumë amerikanë të bardhë e lidhin këtë me një histori të gjatë të padrejtësisë racore, ia vlen të pranojmë se këto shkolla në ajër të hapur ishin një produkt i kohës së tyre, me hierarkitë e saj të racës dhe klasës që përshkojnë idetë për shëndetin publik dhe kombin. Ashtu si pandemia moderne ka hedhur poshtë pabarazitë e sistemit të kujdesit shëndetësor, ashtu edhe mund të kthehemi në shkollimin masiv në natyrë, ku duhet të sigurohen furnizimet e duhura, të vishen veshje të ngrohta dhe të sigurohen hapësira të gjera.
Pas Luftës së Dytë Botërore, antibiotikët e rinj ulën vdekshmërinë e tuberkulozit dhe shkollat në mjedis të hapur u zhdukën. Sot historia e tyre është një kujtesë e asaj që dikur ishte e mundur, siç kanë vërejtur të tjerët. Por kjo u realizua vetëm kur amerikanët ishin të gatshëm të kërkonin jashtë vendit të tyre për ide të reja dhe kur kombi e shikonte shëndetin dhe vitalitetin e tij si të lidhur pazgjidhshmërisht me shkollat. / Smithsonian Magazine /



