Ka shkuar në 9 numri i personave që kanë humbur jetën nga cikloni Gabrielle që goditi Zelandën e Re të dielën që shkoi.
Bëhet me dije se operacionet për kërkimin e personave të zhdukur vijojnë ende.
Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins e ka quajtur ciklonin Gabrielle fatkeqësinë më të madhe natyrore që ka goditur vendin këtë shekull dhe ka paralajmëruar se numri i të vdekurve ka të ngjarë të rritet pasi ekuipazhet kanë kontaktuar me qindra komunitete të ndërprera.
Pothuajse 5,000 njerëz që nga mbrëmja e së premtes u regjistruan në polici si persona që nuk kanë kontaktuar me miqtë ose familjen që nga goditja e ciklonit.
Autoritetet thanë se rreth 62,000 familje ishin pa energji në mbarë vendin. Prej tyre, pothuajse 40,000 ishin në Gjirin e Hawke.



