Kandidati numër një i listës së PD-së në Vlorë, Agron Shehaj, thotë se kryeministrit Rama i duhet të luftojë me LSI-në në këtë qark që të mos mbetet vetë jashtë Parlamentit. Në një intervistë për “Panoramën”, biznesmeni i call center-ave thotë miti i Vlorës që voton majtas është i rrejshëm. Ai parashikon se PD-ja do të marrë në Vlorë 5-6 mandate, çka sipas tij e bën të vështirë garën edhe për vetë kreun e PS-së, që renditet i shtati në këtë qark.
“Vlora është një qytet që e ka nisur duke votuar fuqishëm djathtas, si të gjitha qendrat e mëdha urbane të Shqipërisë. Kështu që miti i “Vlorës që voton majtas” është i rrejshëm. Ato që nuk janë të rrejshme, janë manipulimet që e majta ka përdorur për ta mbajtur Vlorën nën kontroll. Opozita do të marrë 5-6 deputetë në Vlorë dhe Kryeministrit do t`i duhet të luftojë me partnerin e vet në qeveri LSI për të mos rrezikuar të ngelë jashtë Parlamentit. Ne kemi një listë shumë të mirë dhe përfaqësuese kësaj radhe. Përballë kemi disa ministra, një kryeministër dhe shumë drejtorë të majmur në pushtet dhe të pasuruar me paratë e shtetit. Unë hyj në garë me paratë e mia”, thotë Shehaj.



