
Presidenti i vendit Ilir Meta përmes një deklerate, ka ngritu sot shqetësimin se në Shqipëri po cënohen të drejtat themelore të qytetarëve , e gjitha kjo, nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, të cilat duan 20 vjet t’u shqyrtuar, dhe për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike.
Presidenti ka theksuar se sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg.
Reagimi:
Të dashur miq. Të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të pasur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre.
Sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg!
Reforma u bë për qytetarët dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë duhet t’i shërbejë vetëm qytetarëve.
Duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë.
Ju ftoj të lexoni dhe shqetësimin e drejtë që ngre për këtë çështje raporti i INFOÇIP!
Fillimisht sot Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOÇIP, organizata që monitoron çështjet transparencës së institucioneve, ka ngritur alarmin për bllokimin e Gjykatës së Lartë.
INFOÇIP përmes një raporti, thotë se Gjykata e Lartë ka ndërprerë dhënien e vendimeve në 30 prill të këtij viti për shkak të mungesës së anëtarëve, ndërsa vonesa e dhënies së vendimeve ka qenë një tjetër pikë ku është ndalur monitorimi. Shqyrtimi i një çështje dhe dhënia e vendimit ka zgjatur mesatarisht 867 ditë në Kolegjin Administrativ dhe 459 ditë në kolegjin penal që përkthehet nga 1 deri në 2 vite e gjysmë.
Nga ndërprerja e punës, për shqyrtim kanë mbetur rreth 30 mijë dosje që mund të zgjasin për rreth 20 vite dhe mund të bllokojnë shqyrtimin e dosjeve të reja.
“Aktualisht, në Gjykatën e Lartë presin shqyrtimin gjyqësor rreth 30 mijë dosje (28863 deri në fund të vitit 2018). INFOÇIP vlerëson se nëse Gjykata e Lartë do të plotësohej me trupë të re gjyqësore prej 19 anëtarësh dhe kolegjet të nisnin punën rregullisht, për të marrë vendim për rekurset që presin, do të duheshin rreth 20 vjet, nëse e përllogarisim eficiencën me mesataren e vitit 2015 (më e mira e 5 viteve të fundit)”, thuhet në studimin e organizatave të pavarura.
Gjykata e Lartë ka vetëm një anëtar dhe ekspertët ngrejnë alarmin se shqyrtimi i këtyre dosjeve mund të zgjasë më shumë, evidentohet në raportin e INFOÇIP.



