Regjisori Kastriot Çipi deklaroi se në bazë të një analize nga Open Data, sikur Partia Socialiste të marrë të njëjtat vota si në 14 maj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare merr 10 deputetë më shumë se në vitin 2021.
Në emisionin “Arnautistan” në MCN Tv, ai deklaroi se sistemi aktual zgjedhor është më i keqi i mundshmi.
Sistemi lejon një deformim të tmerrshëm të vullnetit të njerëzve. Krijon një shumicë që nuk i korrespondon shumicës së votave. Sistemi më i duhur për mua zgjidhet me referendum.
Kudo po marrin vendime teknokratët, në vend të atyre që janë deleguar për të marrë vendime. A është ky popull për të miratuar Kushtetutën? A ishte i kualifikuar mjaftueshëm?
Në Kushtetutë kishim edhe sistemin zgjedhor. Sistemi zgjedhor nuk është më ai që votuan njerëzit me votë në 1998, ka ndryshuar në vitin 2008.
Sovrani ka të drejtë ta bëjë, por edhe zhbëjë Kushtetutën. Pse të mos miratojnë një sistem zgjedhor njerëzit.
Sistemin miks e kishim deri në 2005, ndërsa në 2008 e ndryshuan pa e pyetur popullin dhe bënë këtë pocaqi që kemi sot.
Çipi shtoi se në Shqipëri qytetarëve nuk iu lejohet të shprehen për asnjë gërmë të Kushtetutës, por nënvizoi se populli e di vetë se çfarë është e mira për veten e vetë.



