Krahas kryebashkiakut Erion Veliaj, akuzat për pastrim parash dhe korrupsion pasiv rëndojnë edhe mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Një nga detajet që bien në sy në njoftimin e SPAK pas arrestimit të Veliajt është edhe shifra prej 860 mijë eurosh që zonja Xoxa i ka shpenzuar për blerje online në katër vjet. Kjo shumë nuk është pasqyruar në formularin e deklarimit të pasurisë.

Veliaj dhe Xoxaj, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK, kishin ngritur një skemë korruptive, nëpërmjet të cilës Veliaj si titullar i bashkisë, miratonte shpërndarjen e fondeve publike dhe jepte leje ndërtimi për biznese të lidhura me të, ndërsa këto biznese më pas transferonin para në organizata dhe OFJ të kontrolluara nga bashkëshortja e tij, duke e kthyer këtë në një mekanizëm të fshehtë pasurimi personal, i cili është përdorur të paktën në 10 raste.

Sipas hetimeve janë të paktën 9 OJF të menaxhuara nga Ajola Xoxa, të cilat kanë arritur të gjenerojnë të ardhura gjatë kësaj periudhe në shumën e 11 milionë eurove.

Në kasafortën e një prej OJF të administruara nga Ajola Xoxa janë gjetur dhe sekuestruar 95 mijë euro, 14 mijë dollarë dhe 665,000 lekë, që dyshohet se janë pjesë e skemës së korrupsionit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, me vendimin nr. 98 Akti /datë 10.02.2025 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror, në lidhje me llogaritë bankare të ndodhura në “Intesa Sanpaolo Bank” dhe “Banka Kombëtare Tregtare”, ne emër të shtetases A. X. dhe shoqërive të lidhura me të, në shumën totale prej 869,149.78 Euro.

Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar pranë zyrave të “P. L.” shpk, administruar nga shtetësja A. X., e cila është njëkohësisht dhe pronare e vetme, janë gjetur në një kasafortë dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi të hollash, prej 95,350 Euro (shumica prej tyre prerje 500 euro), 14,900 USD dhe 665,000 Lekë.