Fatmir Merkoçi, avokat, një nga themeluesit e PD, nuk u përfshi në listën e hartuar nga Basha për t’u votuar si anëtar i Këshillit Kombëtar. Në studion e lajmeve në MCN TV, Merkoçi tha se kjo ishte e pritshme, pasi ai nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e listës së Bashës.
“Kjo tregon se Basha e ka shitur PD-në, vlerat dhe historinë e saj. Jam njeriu I 20 shkurtit, jam plagosur. Kam rrëzuar qeverinë Nano në ’91. Kjo shitje nuk është bërë sot. Sivjet ka qenë 30-vjetori i rrëzimit të diktaturës dhe zoti Basha as nuk e ka përmendur fare”, tha Merkoçi.
Ai shtoi se listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, Basha e ka bërë me dakordësinë e dikujt tjetër. Pa përmendur emra, ai tha se në të njëjtën mënyrë janë përzgjedhur edhe emrat për deputetë.
“Nuk mund ta marrësh partinë dhe të thuash do ta bëj me të rinj. Partia nuk bëhet me të rinj. Të marrësh kalamaj 20 vjeç dhe t’i bësh deputetë. T’i japësh fatin e kombit një kalamani që nuk ka asnjë përvojë në jetë. Mesa duket Shqipëria është e prirur të humbasë nga 30-vjeçarët”, tha ai.
Sipas Merkoçit, vjeshta do të sjellë ndryshime në sferën politike.
“Deri në shtator do të ketë lëvizje shumë të mëdha në Shqipëri. Në shtator do të kemi një qeveri tjetër. E kam deklaruar se në shtator Rama nuk do të jetë më kryeministër. Ardhja e ministres së Brendshme të Anglisë është një event i madh. Edhe ardhja e Rikerit ishte një domethënie e madhe si për pozitën, edhe për opozitë. Po të shihni ka një frikë. Po shesin njëri-tjetrin për të fituar pikë karshi ndërkombëtarëve”, tha ai.



