Ka përfunduar në Bruksel takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Takimi në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç nuk i është shmangur dot debatit. Pas takimit, Presidenti i Serbisë ka zbuluar detaje duke thënë se Kurti e pyeti nëse do e njohë Kosovën.

Vuçiç tha prerazi se përgjigjia ishte asnjëherë, dhe më pas Kurti ka shpërthyer.
”Ai tha: “Kam ardhur të të pyes kur do ta njohësh Kosovën”. Unë i thashë: “Asnjëherë”. Ai shpërtheu.”- pohoi Vuçiç.
Presidenti i Serbisë thotë se ishte rënë dakord që dialogu të vazhdojë deri në fund të korrikut, por gjithashtu deklaroi se ai nuk do të marrë pjesë në një takim të tillë, për shkak të mungesës së përgjegjësisë dhe realitetit nga ana e Prishtinës.
“Nuk kam marrë pjesë në një takim si ky. Unë u përgjigja ashpër, por nuk e kalova kufirin. Kurti erdhi që të mos binte dakord për asgjë. Kjo ishte një përpjekje për t’i dhënë fund dialogut.’- vazhdoi presidenti Vuçiç.
Po ashtu ai thekson se edhe në këtë takim Kurti ka kërcënuar se do e padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë.
11.58h- Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel/ Borell: Dialogu jo i lehtë, por i domosdoshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë nisur tashmë takimin në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Fillimisht ata janë takuar në ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për të vazhduar me takimin trepalësh.
Borrell, para takimit ka thënë të martën se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.

Tutje ai u shpreh se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Borrell u shpreh se “e di që dialogu është proces i vështirë, por i domosdoshëm për të dy palët”.
“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes evropiane. Në të njëjtën kohë, ka sjellë rezultate të rëndësishme për popujt. BE-ja dhe unë jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë e të lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe të bëjmë të ardhmen evropiane një realitet. Është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është momentum i ri në BE për të Ballkanin Perëndimor. Është mundësi për të gjithë rajonin. Jo vetëm për Kosovën e Serbinë sepse marrëveshja mes tyre është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, ka shtuar Borrell.
Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Dy shtetet s’janë takuar në kuadër të dialogut qysh nga viti i shkuar, kur në Kosovë vendi udhëhiqej nga Qeveria Hoti.



