Amerika, toka e premtuar përgjithkënd, vendi i lirive dhe mundësive të mëdha duket se nuk shihet me po të njëjtën optikë nga vetë shtetasit e saj. Colin Kaepernick prej ditësh është bërë protagonist i një ngjarjeje që ka ndezur debat në SHBA. Futbollisti, gjatë një ndeshjeje refuzoi të nderonte himnin kombëtar të SHBA-ve dhe në shenjë proteste qëndroi ulur. “Nuk mund të qëndroj në këmbë dhe të tregoj krenari ndaj flamurit të një vendi që shtyp njerëzit me ngjyrë’ ka shpjeguar qëndrimin e tij 29-vjeçari.
Ky debat që “zien” ende në SHBA është zhvendosur këtë të martë në studion e Zululandit.
Në panelin e të fturave ishin pedagogët Eltion Meka dhe Ilir Kalemaj, të cilët kanë jetuar për një kohë të gjatë në Amerikë duke pasur mundësi të njihen me normat dhe mënyrën sesi funksionon shoqëria atje.
"Shqetësimi dhe kauza e futbollistit janë të drejta, por mënyra e protestës është e pagjetur", bëri të ditur Nano qëndrimin e vet.
Të ftuarit mbështetën veprimin e Kaepernick-ut dhe vërejtën se në SHBA vijon të ushtrohet dhunë ndaj njerëzve më ngjyrë dhe minoriteteve. “Jam pro këtij veprimi dhe nuk e shikoj si diçka të ekzagjeruar dhuna ndaj njerëzve me ngjyrë duhet të rikthehet në vëmendjen e opinionit publik. Mjafton të përmendim rastet e fundit kur policët kanë vrarë njerëz me ngjyrë. Sipas një studimi efektivet e policisë përdorin më shumë dhunë ndaj njerëzve me ngjyrë”, është shprehur pedagogu Eltion Meka, duke e cilësuar gjestin Kaeprnic shumë kurajoz. “Ka një dhunë sistematike e cila shkon përtej rasteve sporadike, situata është përkeqësuar” konstaton pedagogu Ilir Kalemaj.
Po a ndihen shqiptarët të diskriminuar në SHBA? Meka ka një përvojë të gjatë qëndrimi në Amerikë dhe konstaton se: “Në Europë diskriminimi bazohet të kombësia, në SHBA diskriminimi bazohet te raca dhe shqiptarët nuk e përjetojnë këtë lloj diskriminimi”.
Nano citoi disa reagime, mes të cilëve edhe atë të gazetarit Piers Morgan, i cili ka thënë se gjesti Kaepernick-ut ka fyer sakrificat e njerzve që kanë dhënë jetën për liritë që gëzon futbollisti, por sipas Kalemajt: ‘Askush nuk duhet të ndihet i fyer, ka pasur edhe raste të djegies së flamurit amerikan, ky gjest-shton Kalemaj-ka frymëzuar edhe grupe të tjera të margjinalizuara për të kërkuar të drejtat e tyre.
Rasti në fjalë ka nxitur edhe reagimin e presidentit Obama sipas së cilit Kaepernick ka të drejtën e tij për të protestuar dhe ky është veprim i një qytetari të angazhuar. Ndërsa siç mund të pritej, Trump ka thënë se ndoshta Colin duhet të gjejë një vend tjetër që funksionon më mirë për të.



