
Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve në një reagim për mediat shprehen se janë të shqetësuar mbi raportimet në media për arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi.
Në deklaratën e tyre, Unioni i Gazetarëve thekson se dosja gjyqësore do të gjykohet vetëm nga gjykata dhe do të jetë ajo që do të jap vendimin, ndërkohë më tej apelojnë për një proces sa më të drejtë dhe transparent.
“Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve, shprehin shqetësimin e tyre për shkeljen e prezumimit të pafajsisë dhe në ndonjë rast pasqyrimin, jo profesional të disa mediave, në raportimin e arrestimit të ish Drejtorit të Përgjithshëm të Transmetuesit Publik, Thoma Gëllçi!
Ndërkohë theksojmë që dosja gjyqësore do të gjykohet vetëm nga gjykata dhe do të jetë ajo që do të jap verdiktin e saj!
Shoqatat e Gazetarëve apelojnë për një proces, sa më të drejtë, të hapur dhe transparent!”– thuhet në reagimin e Unionit të gazetarëve.
Kujtojmë se arrestimi i ish-drejtorit të RTSH, Thoma Gëllçi dhe tre personave të tjerë, erdhi pas një operacioni të SPAK dhe Policisë së Shtetit. Gëllçi dhe tre punonjësit akuzohen për pabarazi në tendera dhe abuzim me detyrën.



