
Para se të ndahej nga jeta, Sinead O'Connor po punonte për realizimin e një albumi, që do të kish qenë i njëmbëdhjeti i karrierës së saj. Ajo ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 56-vjeçare në një nga rezidencat e saj në Londër. Lajm është zbuluar sot nga agjentët e muzikantes së ndjerë irlandeze, Kenneth dhe Carl Papenfus. Këta të fundit bënë sakaq me dije se O'Connor po planifikonte gjithashtu një rikthim të plotë, me një turne dhe ndoshta një film të bazuar në autobiografinë e saj. Fjalët e dy agjentëve duket se hedhin poshtë dyshimet për një gjest ekstrem, të cilat u ngritën nga shumë njerëz, duke ditur çrregullimet bipolare të O'Connor. Dyshimet u ushqyen edhe më shumë nga vet mesazhet e muzikantes në rrjetet sociale, të cilat ishin të mbushura me dhimbje. Ato erdhën pas vetëvrasjes së të birit. Dje policia britanike bëri me dije se vdekja e këngëtares nuk konsiderohet "e dyshimtë"; ndonëse është urdhëruar një autopsi nga mjekësia ligjore për të verifikuar shkaqet e sakta.



