Pamjet e kështjellës së biznesmenit Ermal Beqiri, për të cilën SPAK ka kërkuar vendosjen e sekuestros, janë siguruar nga MCN TV.
Sipas dyshimeve të hetuesve, kjo pronë luksoze, e ndodhur në Oise, pranë Amiens, në Francë, dyshohet se është përdorur edhe si vend për zhvillimin e takimeve të fshehta të grupit të AKSHI-t.
Me arkitekturë të stilit antik dhe ambiente luksoze, kështjella është përfshirë tashmë në hetimin pasuror që lidhet me dosjen e AKSHI-t, ndërsa autoritetet po verifikojnë rolin dhe përdorimin e saj në kuadër të këtij hetimi.
Beqiri u arrestua në Francë, pasi fluturoi me një avion civil mbi një central bërthamor jo në lartësinë e duhur.
Biznesmeni Ermal Beqiri u shpall në kërkim ndërkombëtar që prej fundit të vitit 2025, pasi mbi të SPAK ngriti 6 akuza “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Beqiri zotëron kompaninë Soft Solution dhe akuzohet se ka përfituar dhjetëra tendera me vlera nga AKSHI, ndërsa njihet si krahu djathtë i Ergys Agasit, i cili vijon ende të jetë i shpallur në kërkim. Sipas SPAK mekanizmi i marrjes së tenderave është bërë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.



