Policia e Elbasanit ka arrestuar 16 persona, (9 prej tyre shtetas të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjës, në kuadër të operacionit të koduar “Metalurgjiku”.
Të arrestuarit dyshohet se ushtronin veprimtari të paligjshme në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të mjedisit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Metalurgjiku", vihen në pranga shtetasit: Juncheol Chung – shtetas korean, Prakash Kadel – shtetas nepalez dhe shtetasit indianë: Rahul Pal , Styend Pal, Munna Singh ,Rajesh Yadav , Aaditiya Raj, Rahul Pal , Dheeraj Kumar.
Si dhe shtetasit Jakup Karaj, Ismail Dybeli ,Dorjan Xhufka, Elton Bejkolli, Besnik Abdiaj, Elton Beqi , Eglis Flaga.
Gjithashtu, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Z., 43 vjeç, D. K., 54 vjeç, F. M., 55 vjeç, Gj. B., 48 vjeç, A. Sh., 72 vjeç, S. O., 67 vjeç, I. L., 53 vjeç, A. K., 38 vjeç, aksionerë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Po punohet për kapjen e tyre.
Nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.
Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative si më poshtë:
3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore.
U sekuestruan celularë dhe DVR.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.



