Në Gjykatën e Tiranës, çdo ditë gjykohen dosje për dhunë në familje. Disa të pandehur marrin dënimin e merituar, ndërsa disa të tjerë ia “hedhin paq” si pasojë e faljes së bashkëshortes. Gratë janë ato, të cilat në shumicën e rastevebien pre e dhunës nga ana e bashkëshortit. Më poshtë, sjellim një rast të gjykuar në Gjykatën e Tiranës ku bashkëshorti ka dhunuar e më pas ka tentuar të qëllojë me thikë bashkëshorten e tij. Por, ngjarja bëhet më e rëndë kur, gruaja ishte e pajisur me një urdhër-mbrojtje nga gjykata. Dy bashkëshortët, referuar dëshmive që kanë dhënë gjatë seancave gjyqësore, jetonin në dy banesa të ndara. Shkak për këtë ishin bërë konfliktet e dhunshme. Bëhet fjalë për të pandehurin me inicialet F.B., i denoncuar nga bashkëshortja V.B. I pandehuri u hetua dhe gjykua për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 321/2 të K.Penal.
Ngjarja
Nga përmbajtja e kallëzimit dhe deklarimet e viktimës rezulton se, më datë 24.01.2020, nga shërbimet e policisë së shtetit është arrestuar në flagrancë i pandehuri F. B., pasi dyshohej se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij V. B. Dhuna është ushtruar nga i pandehuri dhe në disa raste raportohet edhe në prani të fëmijëve si dhe rezulton se ka vepruar në shkelje të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me objekt “Për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes”, me palë paditëse të dëmtuarën V. B., dhe të paditurin F. B. Ngjarja është raportuar në polici nga bashkëshortja e të pandehurit viktima e veprës penale, V. B., e cila ka njoftuar shërbimet e policisë dhe ka paraqitur kallëzim penal. Në kallëzimin e saj, kjo shtetase ka treguar se në datën 24.01.2020, rreth orës 18:30, ka mbaruar punë dhe ka shkuar në shtëpi dhe sapo ka shkuar atje, bashkëshorti i saj Fitim Bejko, ka filluar të shajë dhe ofendojë kallëzuesen si dhe e ka kanosur. Sipas kallëzueses i pandehuri ka shkuar në drejtim të kuzhinës për të marrë thikën por është penguar dhe është rrëzuar. Menjëherë kallëzuesja ka marrë fëmijët dhe është larguar nga shtëpia. Këto veprime sipas kallëzueses i ka bërë në prani të fëmijëve 9 dhe 11 vjeçar. Sipas kallëzueses bashkëshorti i saj ka përdorur dhunë ndaj saj edhe herë të tjera dhe ka kërkuar pajisjen me urdhër mbrojtje nr.6820 regj., datë 23.01.2020, ku urdhërohet që bashkëshorti i saj të mos afrohet tek banesa dhe të rrijë 50 m larg saj dhe fëmijëve. Në datën 25.01.2020, rreth orës 12:00, shtetasja V. B., është kthyer nga puna në shtëpi dhe ka parë se bashkëshorti i saj ka thyer urdhrin e mbrojtjes dhe ishte futur në shtëpi.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri është shprehur se ishte penduar për veprimet e kryera ndaj bashkëshortes së tij. “Jam i penduar, pas ngjarjes që ka ndodhur ne jemi akoma bashkë, marrëdhëniet janë normalizuar. Jam i penduar dhe kërkoj falje. Kërkoj mëshirë”, është shprehur ai.
Ndërsa, gruaja e dëmtuar është shprehur se e ka falur bashkëshortin e saj dhe se, këtë gjë ajo po e bënte për hir të dy fëmijëve. “E kam falur dhe dua të jetë i lirë për hir të fëmijëve. Marrëdhëniet janë normalizuar, nuk kemi pasur më asnjë grindje të asaj natyre. Jetojmë në banesa të ndara për të respektuar urdhrin e mbrojtjes, ngjarja ka ndodhur kur burri ka qenë në gjendje të dehur”, është shprehur V.B.



