Prishet marrëveshja me “Fushën”, Teatri do të ndërtohet me fonde publike. Artistët: Të tërhiqet ligji special (VIDEO)

Prishet marrëveshja me “Fushën”, Teatri do të ndërtohet me fonde publike. Artistët: Të tërhiqet ligji special (VIDEO)

Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me fonde publike. Kjo për shkak të dështimit të marrëveshjes me kompaninë “Fusha shpk.”, për të cilën Bashkia e Tiranës thotë se “nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”.

Në këto kushte, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë vendosur që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik. Synimi i Bashkisë është që me fondet publike, Teatri i ri Kombëtar të nisë ndërtimin brenda këtij viti.

Në mbledhjen e fundit për vitin 2019 të Këshillit Bashkiak, kryetari Erion Veliaj është shprehur i vendosur për ta ndërtuar teatrin e ri. Duke iu referuar Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, si një tufë të ‘èksituarish’, Veliaj tha se do të mbahen mend për sherre.

Në vitin 2018, kryeministri Rama deklaroi se Teatri Kombëtar kushton shumë dhe qeveria nuk ka para për të ndërtuar një të ri dhe kjo ishte arsyeja pse ajo do t’i jepej një kompanie private. Vendimi i fundit për ta ndërtuar atë me para publike ngre shumë pikëpyetje.

Për ndërtimin e Teatrit të ri, në korrik 2018 maxhoranca miratoi ligjin special, që parashikonte shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një të reje sipas skemës PPP. Projekti i ri parashikonte ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë sipërfaqen e tokës dhe realizimin e 20 400 metrave katrorë parking. Përveç kësaj, kompania planifikonte ndërtim mbi tokë në një sipërfaqe totale 68 mijë metra katrorë. Kostoja totale ishte parashikuar të arrinte në 30 milionë euro, por vendimi i ri e kalon barrën financiare në fondet publike. Me vendimin e ri, nuk dihet cili do të jetë fati i ligjit special dhe për më tepër a do të ruhet projekti fillestar.   

Ligji special ndërkohë është ende në Gjykatën Kushtetuese, ku u dërgua nga presidenti Meta pasi u kalua në Parlament për së dyti. Meta e vlerësoi si antikushtetues, por Gjykata Kushtetuese nuk ka ende numrin e mjaftueshëm të anëtarëve për ta shqyrtuar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Ra një projekt kriminal, tani të tërhiqet ligji special

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e cilëson fitore tërheqjen e qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës nga planet për të ndërtuar me PPP një teatër të ri. Në një deklaratë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shprehet se pas dështimit për të çuar deri në fund këtë projekt, duhet të tërhiqet edhe ligji special, i hartuar posaçërisht për të.  

“Qeveria dhe Bashkia me një deklaratë të mekur pranuan dështimin për të çuar deri në fund projektin kriminal për të shembur Teatrin Kombëtar. Ligji special ra sepse në themel të tij kishte ndërtimin e Teatrit të ri me skemën e Partneritetit Publik-Privat - ky ishte dhe qëllimi i Ligjit, dhe nuk e dimë se ç’pritet akoma që ligji të tërhiqet. Projekti ra, sepse nuk kishte, nuk ka dhe nuk ka për të patur ndonjëherë lidhje me një teatër, ishte thjesht një qendër komerciale, porosi e oligarkëve dhe klikës në pushtet, për të krijuar një fabul që t'i hapte rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar”, thuhet në deklaratë.

Duke e konsideruar këtë vendim një fitore, Aleanca thekson se ajo do të jetë e tillë pikërisht vetëm atëherë kur Teatri ekzistues të restaurohet, duke mos i lënë vend ndërtimit të një të riu.

“Fitorja e parë e madhe është që prona publike i mbetet qytetarëve megjithëse është cënuar në një kohë të shkuar, dhe nuk do të tërhiqemi pa i rikthyer çdo centimetër të cënuar pronës së teatrit si pasuri publike. Tani çështja është publike, dhe publiku do që godina të restaurohet, dhe ashtu do të bëhet. Ne si Aleancë kemi komunikuar dhe mbajtur marrëdhënie vetëm me ata që kanë dëshiruar që ditën e parë restaurimin e Teatrit, konservimin e vlerave, me këtë matricë kemi dalë në publik dhe për këtë njerëzit na kanë mbështetur. Asnjë veprim nuk do të ndërmerret pa një konsultim të gjerë publik për projektin restaurator që i konservon më mirë vlerat që ka Teatri”, thuhet në deklaratë.

Artistët që mbrojtën teatrin që në krye të herës theksojnë se kjo nuk është fitore përfundimtare. Për ta, kauza mbyllet kur Teatri të futet në procesin e restaurimit.

 

 

Njoftimi i Bashkisë së Tiranës

Në mbështetje të ligjit nr. 37/2018 dhe vendimit nr. 352, datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave, pranë Bashkisë së Tiranës u ngrit komisioni për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, në përbërje të të cilit ishte edhe përfaqësia e artistëve.

Komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar.

Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.

Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.

Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.

Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy