Qeveria e re e krahut të majtë të Spanjës dorëzoi të martën në parlament një projektligj, i cili synon të lejojë eutanazinë dhe vetëvrasjet e asistuara në raste të caktuara, duke rindezur një debat të ashpër, në lidhje me dekriminalizimin e secilës praktikë.
Euthanasia përfshin një mjek që merr një rol aktiv në përfundimin e jetës së një pacienti, ndërsa në rastin e vetëvrasjes së asistuar mjeku siguron një substancë vdekjeprurëse që pacienti të vetadministrohet.
Sipas ligjit të tanishëm, nëse dikush ndihmon dikë t’i japë fund jetës së tij, masa e dënimit me burg është deri në 10 vjet, megjithatë 84% e spanjollëve janë në favor të dekriminalizimit, sipas një sondazhi kombëtar për vitin 2018.
Pas dy përpjekjeve të mëparshme për të ndryshuar ligjin që dështuan për shkak të mungesës së mbështetjes dhe përfundimit të parakohshëm të legjislaturës vitin e kaluar, qeveria tani ka një shumicë pothuajse të garantuar përmes mbështetjes së qendrës së djathtë Ciudadanos dhe të disa partive më të vogla.
"Ne po flasim për sëmundjet pa kurë, pa zgjidhje dhe që shkaktojnë vuajtje të konsiderueshme", tha të martën zëdhënësja e qeverisë Maria Jesus Montero, duke shtuar se mjekët që kundërshtojnë praktikën nuk do të përfshihen.
Kisha Katolike - historikisht e rëndësishme për opinionin publik në Spanjë - e konsideron eutanazinë moralisht të gabuar, dhe opozita kryesore konservatore Partia e Popullit (PP) dhe ekstremi i djathtë Vox gjithashtu duan që ajo të mbetet një vepër penale.
Euthanasia ka tërhequr shumë vëmendje në Spanjë, veçanërisht që nga filmi i vitit 2004 "Mar Adentro" (Deti Brenda), i cili e solli çështjen në qendër të vëmendjes kombëtare.
Filmi spanjoll tregon historinë e Ramon Sampedro, një njeri i paralizuar, i cili për dekada me radhë bëri fushatë për të drejtën ligjore për të vdekur dhe në fund kreu vetëvrasje pasi gjykatat e mohuan atë të drejtë.
Portugalia fqinje po debaton gjithashtu për legalizimin e eutanazisë.
Brenda Evropës, eutanazia dhe vetëvrasjet e ndihmuara lejohen në Zvicër, Holandë dhe Belgjikë në rrethana të caktuara dhe nën rregulla të rrepta lokale. /Reuters/



