
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndodhet në Tiranë ku ka zhvilluar një takim me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Edhe pse Kurti dhe Berisha kanë qëndrime dhe ide të ndryshme politike, ajo që i ka bashkuar është pikërisht çështja kombëtare për kufijtë e Kosovës.
Në bisedën mes Berishës dhe Kurtit është diskutuar rreth idesë së hedhur nga zyrtarët e lartë të Kosovës për ndryshim kufijsh. Lidhur me këtë çështje Berisha dhe Kurti janë shprehur publikisht se janë kundër kësaj ideje.
Berisha i sheh si një përpjekje për të vënë në jetë planin e hershëm të Serbisë për të aneksuar territore shqiptare.
“Kjo ideja e kufijve që serviret si ide shqiptare dhe me një dhimbshuri të madhe për Preshevën, është absolutist falsitet. Kjo është ide e mirëfilltë e Beogradit, e shtruar tek unë në Selanik nga Vuk Drashkoviç, e propozuar në mënyrë të përsëritur, e kundërshtuar në mënyrë kategorike nga Tirana zyrtare, por dhe Prishtina zyrtare. Ndërsa tani na u gdhi si një ide shqiptare. Kjo është një ide serbomadhe, me të cilën asnjë shqiptar nuk duhet t’a mbështesi”, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, u bëj thirrje deputetëve të Kosovës, t’i japin fund kësaj situate dramatike. Sipas tij nuk ka kush autoritet të diskutojë, të vërë në tavolinë integritetin territorial të Repubilikës së Kosovës.
Për ish-kryeministrin ideja e korrigjimit të kufijve të Kosovës dhe Serbisë rrezikon të destabilizojë rajonin.
“Hapja e kutisë së Pandorës përbën një rrezik të madh për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Si Mitrovica me tre komuna janë të paktën gjashtë të tjera në një distancë jo shumë të largët, pak qindra kilometra ose më pak nga ai rajon. A do hymë ne tani të hapim zinxhirin e një seri konfliktesh për ambicien e një Serbie të Madhe, të cilët kësaj here, me një operacion të paimagjinueshëm, nuk e shprehin më vetë, por e shprehin me argatët e tyre në Prishtinë”, tha Berisha.
Për ish-kryeministrin dialogu duhet të vazhdojë për të zgjidhur rreth 30 marrëveshje që janë lënë në harresë nga Prishtina dhe Beogradi që kanë të bëjnë me të zhdukurit e luftës apo problemet reale të qytetarëve.



