
“Serbët dhe shqiptarët mund të bëjnë një tjetër gabim, si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan, nëse dështojnë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Kështu është shprehur presidenti serb, Aleksandar Vuçiç në një intervistë në Berlin për “Kronen Zeitung”.
“Tashmë është në dorën tonë të bëjmë atë që na takon. Problemi më i madh është gjetja e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës. Në funksion të saj ne kemi nisur një dialog dypalësh dhe duhet të gjejmë një kompromis, ku si shqiptarët edhe serbët duhet të bëjnë lëshime. Nëse nuk ia dalim, atëherë dështimi do të jetë një tjetër gabim në historinë e dy kombeve më të mëdha në Ballkan”, tha ai.
Vuçiç tha se në pesë vitet e fundit, mes dy vendeve nuk ka pasur asnjë konflikt mbi baza etnike dhe u ndal në vrasjen e Oliver Ivanoviçit dy javë më parë. “Pas vrasjes së një serbi në Kosovë kohët e fundit, ne u vumë menjëherë në kontakt, në mënyrë që të shmanget përshkallëzimi i situatës. Shkova në Kosovë për t’i qetësuar serbët”, tha ai.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç lëshoi një mesazh për shqiptarët. Ai tha se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe shtoi se pa serbët, ajo nuk mund mund të quhet e pavarur. “Pa Serbinë nuk ka anëtarësim në OKB, pa Serbinë nuk ka anëtarësim në Interpol dhe as vizita shtetërore në Kinë”, tha ai.
Vuçiç shtoi se “të gjitha letrat janë në tavolinë” dhe nëse arrihet marrëveshje e tipit jep e merr mbi principin e ndershmërisë, atëherë gjërat do të marrin zgjidhje.
“Atëherë të gjitha dyert e Europës do të hapen për Serbinë. Sigurisht, ne duhet ende të bëjmë përmirësime në aspekte si sundimi i ligjit, por nga ana tjetër do t’i vendosim nën kontroll financat tona”, tha ai. / B92 /



