
Si një nga ambientalistët më të njohur të Hollivudit, Leonardo DiCaprio e përdor shpesh Instagram-in për të nxitur të tjerët që të kujdesen për planetin. Por kohët e fundit postimet e tij, së paku në pjesën e komenteve, mbizotërohen nga një çështje e vetme: fati i një liqeni në Siberi.
Ambientalistët ruse e kanë përmbytur llogarinë e tij me mesazhe, shumë prej të cilave janë të shkruara në shkronja cirilike, duke i kërkuar aktorit që të mëbshtesë fushatën e tyre për të shpëtuar liqenin Baikal.
Baikali, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është liqeni më i vjetër dhe më i thellë në tokë dhe, sipas vëllimit, edhe liqeni më i madh në botë i ujërave të ëmbla. Por aktivistët, përfshirë WWF, thonë se liqeni, i njohur edhe si "margaritar i Siberisë", është në rrezik nga ndotja, zhvillimi dhe gjuetia.
Duke iu referuar yllit si Levushka, versioni rus i emrit të tij, mesazhet i bëjnë thirrje DiCaprio-s, 44 vjeç, për të ndihmuar në shpëtimin e liqenit.
"Levushka! Ruaje Bajkalin tonë! Ne ta kërkojmë këtë vëllazërisht në emër të të gjithë Rusisë”, thuhet në një mesazh, të përkthyer nga BBC-ja.
Vitet e fundit aktori ka dhuruar miliona dollarë për mjedisin nëpërmjet fondacionit Leonardo DiCaprio, të cilin e themeloi në vitin 1998. Ai ka thënë më parë se ndryshimi i klimës është çështja më e madhe me të cilën përballen të rinjtë sot.
DiCaprio është shprehur se dy nga gjyshërit e tij të ndjerë ishin rusë, dhe ka thënë se është gjysmë rus. /The Guardian/



