
Në tekstet shkollore në Shqipëri ka mangësi sa i përket periudhës komuniste. Dr. Anna Kaminsky, drejtore e Fondacionit Federal për Trajtimin e Diktaturës Komuniste në Gjermani thotë në një intervistë për DW se, pavarësisht progresit në zbardhjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, kjo nuk është reflektuar në tekstet që edukojnë brezin e ri. Kaminsky thotë se në to, diktatura komuniste paraqitet ende si një periudhë modernizimi.
“Pavarësisht këtij progresi mendoj se mungon vullneti politik për të përfshirë të kaluarën diktatoriale në tekstet shkollore. Diktatura komuniste në këto tekste paraqitet ende si periudha e modernizimit të shoqërisë shqiptare, elektrifikimit, arsimimit, emancipimit të gruas dhe nuk ka asnjë fjalë të vetme për viktimat e saj. Kjo duhet të ndryshojë, pasi thelbi i diktaturës është represioni, vrasjet, mungesa e të drejtave demokratike, dhunimi i të gjitha të drejtave të njeriut. Brezat e rinj duhet të dinë ҫfarë ndodhi, ҫ’do të thotë të jetosh në diktaturë që të mos e konsiderojnë demokracinë si diçka të mirëqenë, por të luftojnë për të drejtat demokratike. E kalura komuniste eshtë trashëgimi, brezi i ri duhet të forcojë edukimin demokratik, pra të njohin të kaluarën që të kuptojë ndryshimin mes diktaturës dhe demokracisë. Shqipëria është një vend me bukuri të madhe natyrore. Sa herë vij, e kam të vështirë të përfytyroj përballë kësaj bukurie sesi këtu ishte diktatura më egër komuniste, vendi më i izoluar për disa dekada. Por kjo bukuri nuk duhet të mbulojë krimet e komunizmit”, shprehet ajo.
Kaminsky sjell rastin e Gjermanisë dhe zbardhjen e periudhave të dy diktaturave që e qeverisën.
“Neve në Gjermani na është dashur të merremi me dy diktatura dhe me viktimat e dy regjimeve: nazizmit dhe komunizmit. Në Gjermani na u deshën disa dekada për të zbardhur krimet e nazizmit dhe për t’i bërë ato të njohura për shoqërinë. Këto procese duan kohë. Por viktimat nuk mund të presin. Shoqëria duhet të përballet me të shkuarën komuniste. Përvoja që ne sjellim në Shqipëri nga Gjermania është përshpejtimi i këtyre proceseve, që viktimat të mos vazhdojnë të zhgënjehen për dekada të tëra, që krimet e regjimit komunist të zbardhen”, thotë ajo.
Kaminsky ndalet te burgjet e sistemit komunist dhe thekson se qeveria nuk e ka bërë punën e saj, për të dokumentuar të shkuarën dhe vuajtjet e viktimave e të burgosurve.
“Ekzistojnë vendet ku ndodhën krimet, egzitojnë dokumenta, janë ende gjallë viktimat dhe kujtimet e tyre. Vizituam burgun e Spaҫit. Prej shumë vitesh qeveritë në Shqipëri kanë premtuar një burgu i Spaҫit të bëhet muzeum. Por nuk e kanë bërë këtë. Diҫka kanë bërë organizatat e shoqërisë civile dhe vetë ish- të burgosurit, po kjo duhet të jetë një detyrë e shtetit për të mos harruar atë që ndodhi. Por njëherazi bashkë me përvojën tonë, ne mësojmë nga Shqipëria sesi ajo po trajton të shkuarën komuniste, sesi organizatat e shoqërisë civile po luftojnë për të ndërtuar kulturën e kujtesës. Nuk jemi mësues. Kur vijmë në Shqipëri jemi studentë. Jemi njerëz në kontekste të ndryshme që dëshirojmë të bashkëpunojmë në Shqipëri me njerëzit në fusha të ndryshme në kërkime, studime, analizën e kujtimeve dhe të mbështesim njëri – tjetrin. Dua të them që në Shqipëri ka progres në dokumentimin e të shkuarës komuniste në krahasim me 2010”, thotë ajo.



