
Tre aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë shoqëruar mbëmjen e sotme në komisariatin numër 1. Bëhet me dije se tre aktivistët e shoqëruar janë Astrit Seranaj, Donald Martini dhe Gentjan Hasani.
Burime nga policia e Tiranës i thanë TvT se tre aktivistët kanë tentuar të hyjnë brenda truallit të Teatrit Kombëtar. Në momentin që nuk i janë bindur urdhrit të policisë, janë shoqëruar në komisariat dhe janë proceduar penalisht për mosbindje ndaj urdhrit të policisë.
TvT kontaktoi edhe me përfaqësuesen ligjore të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Adriana Kalaja, e cila tha se në komisariat është dhunuar aktivisti Astrit Seranaj. Kalaja tha se lidhur me ngjarjen, Aleanca do të depozitojë nesër një kallëzim penal.
“Ne e shikojmë si goditje të pastër ndaj qëndresës së Aleancës. Neswr do të procedojmë me kallëzimet penale. Njëri nga të shoqëruarit, ndaj të cilit është ushtruar dhunë, është me shtetësi angleze. Nga Policia e Shtetit ka veprime në kundërshtim me ligjin, në shkelje të të drejtave të njeriut. Ne nuk është se besojmë shumë në çfarë na është thënë. Formulimi i akuzës është mosbindje ndaj policisë, pasi sipas policisë, Astrit Seranaj nuk ka zbatuar urdhrin e policisë. Ka qenë një konflikt i panevojshëm, të tjerët kanë shkuar për të parë se çfarë ndodhte. Gjatë shoqërimit është ushtruar dhunë psikologjike dhe me të mbërritur në komisariate edhe dhunë fizike me shqelma në fytyrë. Janë të irrituar, sepse më kanë thënë që ishte dhunë brutale. Dhuna më e madhe është ushtruar brenda komisariatit, është goditur Astrit Seranaj. Nesër do të shkojmë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Kalaja.
Aktivistët kanë qenë gjithmonë të pranishëm në protesta që pas prishjes së teatrit. Disa prej tyre dolën publikisht edhe në protestat e fundit për Klodian Rashën, 25-vjeçarin e vrarë nga policia.



