Kryeministri Edi Rama ka ironizuar deputetët e opozitës gjatë votimit të reformës në drejtësi. Teksa thotë se ka ky ka qenë i vetmi rast kur të gjithë kartonët jeshilë janë ngritur në sallën e Kuvendit, Rama nuk ngurron të komentojë reagimin e demokratëve.
“Vetëm në atë rast kam parë kartonët jeshilë sipër, koka poshtë”, tha Rama në "Studio e Hapur".
Më tej, ai ka shtuar se ashtu siç u votua reforma në drejtësi do të votohet edhe vettingu
“Kur flitej për 3 ligjet, një prej tyre ishte rregullorja e Parlamentit, ne kërkonim që pas kryeministrit, kryetari i opozitës të kishte të drejtën e replikës me një minutazh të caktuar. Ne erdhëm në shumicë dhe gjëja e parë që bëmë ia dhamë këtë të drejtë”.
I morët votën për reformën në drejtësi…
“Nuk ia morëm ne, erdhën e dhanë të gjithë ujqit e bërë qengja. Vetëm në atë rast kam parë kartonët jeshilë sipër, koka poshtë. Erdhën si Çeço, madje Çeço ishte me mustaqe, këta erdhën pa mustaqe”.
A do bëhet vettingu?
“Padyshim që po”.
Rama theksoi edhe një herë se nuk ka asnjë lëshim për të plotësuar kërkesën e opozitës për krijimin e një qeverie teknike.
“S’ka asnjë lëshim. Por çfarë t’ju them 1 milion njerëzve që më kanë dhënë këtë detyrë. Ti them se ne bashkë duhet t’u japim rrugë budallait dhe në emër të kësaj të hedhim bazën kushtetuese dhe t’i hapim rrugë një politike që do zhvillohet jo më në parlament. Por opozita në çadër dhe qeveria në parlament. Vjen tjetër, merr çadrën dhe thotë ‘uli ti, të hipi unë”, tha Rama.



