
Shqipëria merr stafetën e drejtimit të Organizatës së OSBE. Duke folur në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë, Rama parashtroi objektivat e Presidencës së Shqipërisë në drejtimin e kësaj organizate, teksa nënvizoi se ky është një hap historik.
“Ne kemi marrë vendim përsa i përket të ardhmes së vendit tonë sesi e shohim të ardhmen në vitet e ardhshme, shpresoj te iniciativa jonë me partnerët për të vijuar bashkëpunimin. Ka shumë vendime kyçe me të cilat ne nuk kemi marrëveshje të qëndrueshme. Ka në fakt shumë cështje që kanë të bëjnë jo vetëm me termat e politikës, por edhe sigurisë. Shohim edhe në këtë treyzë ka qasje të ndryshme. Do të bëjmë të pamundurën për të parë përpara. Ky është një moment historik dhe inspirim për vendin tonë. Kjo lidhet me marrëdhëniet e mira me anëtarët dhe mikpritje që karakterizon Shqipërinë.Edhe një tjetër element i rëndësishëm i Shqipërisë është harmonia fetare. Marrja e Presidencës, është një hap i jashtëzakonshëm”, u shpreh Rama.
Rama tha se fokusi do të mbetet te implementimi bashkarisht i të gjitha politikave për të rritur kredibilitetin e OSBE.
“ Nëse doni paqe në Europë duhet të implementohen edhe elementë të tjerë. Duke monitoruar zgjedhjet dhe mbështetur reformat. Puna e OSBE-së ka qenë ngushtësisht e lidhur me njerëzit. Përsa i përket edhe vijimit të dialogut, kjo është e vetmja mënyrë për të rindërtuar besimin mes nesh. Korrupsioni dëmton prosperitetin e të gjithë rajonit, së bashku me kërcënimet e tjera. Do të luftojmë korrupsionin”.
Lufta kundër trafikimit të qënieve njerëzore do të jetë një tjetër prioritet i OSBE nën presidencën e Shqipërisë.
Shqipëria merr Kryesinë e OSBE/ Rama: Mundësi e jashtëzakonshme për të shkëlqyer
12.43h-Shqipëria merr sot zyrtarisht Kryesinë e OSBE-së në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë.
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Bratislavës, në Sllovaki, ku Shqipëria pritet të marrë drejtimin e OSBE për vitin e ardhshëm.
Pak përpara fjalës së marrjes së kryesisë së OSBE për vitin 2020 Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Bratislavë ka publikuar një video ku tregon momente pune përpara Ministerialit.
Rama deklaron se është “nder dhe përgjegjësi e madhe drejtimi i kësaj organizate ndërkombëtare të dorës së parë, si edhe mundësi e jashtëzakonshme për ta bërë Shqipërisë të shkëlqejë në krye të punëve të mëdha e të sfidave të posaçme të OSBE”.
Rama thekson se gjatë fjalës së tij është e rëndësishme që në hyrje të flasë për tërmetin e 26 nëntorit që goditi Shqipërinë.
Gjithashtu Rama shton se, i duhet vënë theksi bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe mikpritjes si dy prej vlerave më të mëdha të Shqipërisë. Gjithashtu Kryeministri shtoi se si element të mikpritjes është pritja që populli shqiptar bëri për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore apo dhe pritjen e popullit të Kosovës në vitin 1999.
Sa i përket vlerës së barazisë gjinore, kryeministri Rama evidentoi faktin që Shqipëria është në 5 vendet e para në botë për numrin e grave në kabinetin qeveritar.
Në një video të postuar live në profilin e tij në FB, kryeministri Rama duket se ndodhet në një zyrë me këshilltarin e tij për marrëdhënien me median dhe një tjetër person, duke u përgatitur për fjalimin që Rama do të mbajë për të pranishmit.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen në videon e postuar në faqen zyrtare të Facebook, që shihet nga miliona përdorues të rrjeteve sociale, është gjesti i kryeministrit, ku këmbët i ka vendosur mbi tavolinë, dhe i ul kur shërbimi i sjell kafen në zyrë.

Pak orë më vonë, Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj në një postim në facebook tha se Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr OSBE-në.
“Sot në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë Shqipëria zyrtarisht merr Kryesinë e OSBE-së. Pas një pune kapitale përgatitore në rrafshin politik e programatik, si dhe organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive".



