Një fushatë për një referendum të dytë për Brexit pritet të nisë brenda pak ditësh. Këtë e pohoi miliarderi Xhorxh Soros gjatë një fjalimi në Paris. Soros e përshkroi Brexit-in si shembull të shpërbërjes territoriale dhe e fajësoi për dëmtimin e punës së Bashkimit Europian.
“Shumica e dëmit ndihet tani kur BE-ja është në një krizë ekzistenciale, por vëmendja tërhiqet nga marrëveshja për shkëputjen me Britaninë. Kjo është një situatë nga e cila humbin të dy palët, por mund të kthehet në të kundërtën”, tha Soros.
Filantropi 87-vjeçar mbështet grupin “Best for Britanin”, një grup antiBrexit që po bën thirrje për një referendum të dytë. Soros ka dhuruar 700 mijë paund për këtë fushatë.
“Një referendum i dytë do të ishte më e mira për Britaninë, por edhe Evropës do t’i bënte një shërbim të shkëlqyer, duke anuluar Brexit-in dhe rrjedhimisht, në buxhetin europian nuk do të ketë një vrimë të vështirë për t’u mbushur. Por britanikët duhet të mbështesin me një diferencë bindëse variantin tjetër. Kjo është ajo që synon “Best for Britanin” duke u angazhuar në elektorat. Manifesti i saj do të publikohet brenda pak ditësh”, tha ai.
Megjithatë, Soros thotë se BE-ja ka nevojë për reformim.



