Tregu i qirave afatshkurtra në Shqipëri po zgjerohet me ritme të shpejta por vijon të mbetet informal duke operuar jashtë sistemit të tatimeve. Në platformën Airbnb numërohen deri në 23,000 apartamente që jepen me qira në vendin tonë.
Krahasuar me vitin 2022 ofertat janë rritur me më shumë se 70% sipas të dhënave nga studimit i Investropa (platformë studimore në Shqipëri që fokusohet në analizën e vlerave të pasurive të paluajtshme dhe tendencave ekonomike).
Shumica e pronave janë përqendruar në Tiranë, si dhe përgjatë qyteteve bregdetare si Durrës, Vlorë dhe Sarandë.
Themeluesja e Tirana Airbnb Management Enxhi Krasniqi thotë që Airbnb është në kulmin zhvillimit në vend si pasojë e zhvillimit të turizmit por jo konkuruese me hotelet.
Numri i lartë i pronave aktive në platformën AirBnb nuk reflektohet njëjtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në një kontroll me fjalë kyçe në objektin e veprimtarisë “AirBnb” rezultojnë vetëm 50 subjekte të regjistruara. Situatë e cila sipas Krasniqit po sjell konkurencë jo të drejtë dhe duhet formalizim i tregut.
Studimi i Investropa vlerëson se shkalla mesatare e zënies për pronat në Tiranë është rreth 48%, që do të thotë se një apartament tipik pret mysafirë pothuajse gjysmën e vitit.



