
Adriana Kalaja, përfaqësuesja ligjore e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ka bërë të ditur sot se kanë dorëzuar një kërkesë për informacion në bazë të ligjit për të drejtën e informimit pasi kanë konstatuar që në ditën e seancës së teatrit kombëtar Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka bërë një takim me kryetaren e gjykatës, Vitore Tusha.
Aleanca për Teatrin i bën të ditur GjK se mbështetës të tyre brenda institucioneve shtetërore u kanë bërë të ditur se se në datën e seancës për çështjen e Teatrit, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese ka hyrë ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Luigi Soreca, i cili ka zhvilluar një takim prej afro një ore me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese dhe pesë minuta para se të fillonte seanca gjyqësore, është parë të dalë nga dera e pasme e kësaj gjykate.
“Pas takimit pesë minuta përpara seancës gjyqësore, Soreca ka dal nga dera prapa. Ne jemi shumë të shqetësuar sepse nuk kuptojmë arsyen pse duhet vijë pikërisht në atë ditë dhe në kërkesat tona kemi kërkuar së pari të bëhet publike nëse ky takim ka qenë i programuar”, është shprehur Kalaja.
Gjithashtu Kalaja theksoi se kanë kërkuar të bëhet publike kush ka qenë objekti i bisedimeve dhe pse ky takim është bërë i fshehtë.
“Fakti që është mbajtur e fshehtë, cënon shumë njëanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, cënon legjitimitetin e kryetares Gjykatës. Takimi është zhvilluar brenda gjykatës, dhe Soreca ka ardhur për të lobuar në favor të kryetarit. I kemi kërkuar SPAK të sekuestrojë të gjitha kamerat brenda dhe jashtë ambientit”.
Ajo tha gjithashtu se do kërkojnë vetë largimin e kryetares nga trupi gjykues.
“Po bëjmë gati informacionin sesi një ambasador në shkelje të kushtetutës shqiptare vjen dhe bën presion. Do i bëjnë me dije BE-së, që Soreca të shpallet non-grata”, ka njoftuar mediat avokatja Kalaja.



