Holokausti është ana më e errët e historisë së gjermanëve, megjithatë është një ‘njollë’ me të cilën ata janë përballur dhe që përpiqen ta kujtojnë gjithmonë. Por sa e vështirë ka qenë për Gjermaninë të pajtohet me historinë e saj dhe çfarë mund të mësojë Shqipëria nga modeli gjerman, në mënyrë që të përballet me anët e errëta të historisë së saj, siç është përshembull historia e komunizmit? Për më tepër dëgjoni mendimin e Martin Zickendraht, Përfaqësues i Ambasadës Gjermane në Shqipëri, i cili ndan përvojën e tij në një bisedë me Blerina Goce për “EuropeIN” në MCN TV.
Martin Zickendraht, Përfaqësues i Ambasadës Gjermane në Shqipëri
“Ne, gjermanëve na u desh shumë kohë të pajtoheshim me historinë tonë sepse ishte shumë e dhimbshme. për dekada të tëra pas luftës njerëzit përpiqeshin ta shtynin tutje këtë pjesë të historisë derisa brezi i ri tha me zë të lartë që nuk mund ta bënin më diçka të tillë, por duhet që me ndershmëri të përballeshim me këtë gjë. Ne iu detyrohemi viktimave, ne duhet t'u japim atyre emra, ashtu siç bën dhe kjo ekspozitë por ne gjithashtu i detyrohemi të ardhmes. ne duhet të mësojmë se sa të tmerrshme gjërat mund të jenë nëse vrapon pas diktatorëve që premtojnë dhe nëse heq dorë nga morali dhe humanizmi. Ne nuk duhet ta bëjmë sërish diçka të tillë. Kështu, të kujtojmë 27 janarin është shumë e rëndësishme, një ditë shumë e dhimbshme, por një nga kujtimet më të rëndësishme që kemi.
“Mendoj se është e rrezikshme të bësh krahasim mes holokaustit dhe komunizmit te ju, sepse shkalla dhe lloji i besimit nga regjimi nazist ishte komplet i ndryshëm nga ajo çfarë ndodhi në Shqipëri. Por, po, unë, ju- e dimë që Shqipëria ka pasur gjithashtu histori të dhimbshme dhe të vështirë. Mendoj se kjo është diçka që ne ndajmë bashkë. Gjithashtu në Gjermani ne kemi patur fundin e regjimit komunist në 1989, diçka e përbashkët me ju. Në Gjermani besojmë se që të kalosh dhimbjen e së shkuarës duhet të përballesh me të dhe jo të arratisesh prej saj. Ministrja Margariti e tha shumë bukur, që duhet të shkoni te e kaluara dhe të punoni me rrënjët tuaja, me identitetin tuaj, edhe me pjesën e vështirë tuajën. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me të shkuarën e shndritshme, por edhe me gjërat e këqija të së shkuarës. Kjo është një bazë e mirë për të lëvizur drejt të ardhmes.”



