
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN zbuloi detaje të pazakonta mbi arrestimin e biznesmenit Ilir Shtufi. Sipas tij, gjatë kontrollit në banesë, oficerët e BKH-së mësuan se Shtufi ndodhej në Greqi dhe, pas një telefonate me video, i kërkuan t’u dërgonte lokacionin e saktë ku ndodhej për procedurë.
Hoxha tha se Shtufi ua dërgoi vetë adresën e hotelit në Selanik, ndërsa SPAK-u e përcolli menjëherë informacionin te autoritetet greke, të cilat e gjetën dhe e ndaluan brenda pak orësh. Sipas gazetarit, kjo është një praktikë e pazakontë, pasi identifikimi dhe arrestimi i tij u bë pikërisht falë lokacionit që ai dërgoi vetë.
“Ditën e premte që është bërë operacioni, në orën 07:01, oficerët e BKH-së kanë trokitur në derën e familjes Shtufi.
Ai jeton aty mbrapa Lidhjes së Shkrimtarëve, tek një pallat.
Nuk e kanë gjetur në banesë. I kanë kërkuar bashkëshortes ku është.
U ka thënë që ndodhet jashtë shtetit dhe kthehet ditën e mërkurë.
I kanë thënë: “A mund të na e konfirmosh që është jashtë shtetit?”
I ka rënë telefonit me kamerë.
I është përgjigjur. Këtu ishte ora 07:00, atje në Greqi ora 08:00.
Është përgjigjur në hollin e hotelit.
Ka dalë në pamje dhe i ka thënë: “Do të kthehem. E kisha për t’u kthyer ditën e mërkurë, por do të kthehem më shpejt se sa e kisha programuar.”
Oficerët e BKH-së i thonë në bisedë e sipër:
“Zotëri, që ne ta shënojmë në procesverbal, a mund të na çosh lokacionin ku ndodhesh?”
Dhe ai ua çoi lokacionin.
Për dy orë, menjëherë, policia greke i shkoi.
Jo skuadra që bën arrestimet për llogari të Interpolit, sepse nuk kishin hyrë ende në procedurën e Interpolit.
Lokacionin e dërgoi vetë ai.
Ua çoi vetë lokacionin e hotelit ku ishte dhe aty e kapën.
Pra, aty është kapur.
Ky ishte me një person tjetër.
Personi tjetër kishte ditëlindjen e vajzës dhe është kapur dy orë pa lëvizur nga hoteli.
Nuk e ka lënë policia greke.
Në Selanik.
SPAK-u ka vepruar menjëherë, ka marrë lokacionin, ia ka çuar autoriteteve greke, u ka dhënë adresën e saktë dhe ata kanë shkuar e kanë gjetur në hollin e hotelit.
Madje, kur u ka kërkuar vendimin e arrestit, i kanë thënë:
“Do të bësh një sqarim nga stacioni policor me autoritetet shqiptare. Për ne nuk ke asnjë lloj ngarkese apo problemi.”
Në momentin që është çuar në stacionin e policisë, atje ka filluar praktika me autoritetet shqiptare, të cilat kanë kërkuar që ky person është pjesë e një hetimi shumë të rëndësishëm, rrezikon të largohet dhe duhet të mbahet në izolim derisa të vijë dosja nga Shqipëria.
Sot, Gjykata e Selanikut ka miratuar kërkesën e prokurorit atje për 40 ditë, në pritje të dokumenteve nga SPAK-u.
Por kjo që ka përdorur BKH-ja aty, duke i kërkuar lokacionin, ai nuk e ka menduar që aq shpejt mund t’i shkonin dhe ta arrestonin.
Pra, duket një praktikë që as unë nuk e kam hasur tjetër.
Të kontaktohet direkt me personin dhe t’i kërkohet lokacioni se ku ndodhet.
Ndoshta Shtufi nuk e ka menduar që ata do të vinin kaq shpejt dhe ta ndalonin, por ky është fakt.
Dhe nga kjo telefonatë është bërë identifikimi i tij dhe vendndodhja e tij.”



