Vërshimet e ujit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme të produkteve bujqësore dhe serave në disa zona të vendit. Lumi Seman ka shkatërruar serat në fshatin Sematicë dhe disa fshatra të tjerë, ndërkohë që fermerët kërkojnë ndihmë nga autoritetet.
Probleme ka pasur edhe në Konispol, ku lumi Pavël ka përmbytur rreth 5000 rrënjë mandarina në fshatrat Shalës, Shkallë dhe Çiflik në Bashkinë e Konispolit.
Kryetari i Shoqatës së Fermerëve Eduart Sharka në një lidhje skype për MCN TV tha se shqetësimi që ngre shoqata janë përmbytjet për shkak të mos pastrimit të kanaleve kulluese. Siç u shpreh ai edhe pse vitin e kaluar janë harxhuar 1 milionë euro banorët e fshatit Çiflik po pastrojnë vetë kanalet.
Intervista:
Zoti Sharka siç e ndoqëm dhe nga materiali, reshjet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore, sidomos në sera. Pse kjo situatë, cilat janë zonat më të përmbytura. A nuk ishin marrë masa me kanalet kulluese po ashtu dhe me argjinaturat e lumenjve?
Sharka: Ajo që ne si sindikatë ngrejmë zërin janë përmbytjet për shkak të mos pastrimit të kanaleve kulluese sepse dalja e lumejve është tjetër gjë. Prioritet është ruajtja e jetës njerëzore dhe dëmet në ferma.
A ka një dëm paraprak të përllogaritur dhe sa mund të jetë sipërfaqja e përmbytur e mbjellë sepse ajo normalisht është shumë herë më e madhe?
Sharka: Ditët në vijim ndoshta do kemi shifra të sakta, por ka dëme të mëdha në ferma të mbjella me speca, janë mbushur me ujë. Ka dëme në shumë kultura bujqësore. Ajo që doja të thoja është që ministrja jonë del në terren ndërkohë që duhet të subvencionojë fermerët siç e ka Italia që ka buxhet paraprak për përmbytjet.
Dëme sidomos në Fier, Vlorë, Fushë-Krujë, Berat etj. Po në blegtori dhe bazën ushqimore për krerët a kanë qenë të shumta problemet deri dhe në evakuim të tyre?
Sharka: Deri tani nuk kemi informacione për evakuimin.
Z. Sharka ju kë fajësoni për këtë situatë pasi nuk është viti i parë që flitet për dëmet pas katastrofave natyrore. Duket një problematikë e mbartur vit pas viti duke kujtuar përmbytjet e 2009-2010, 2017, 2018 me dëme shumë të mëdha ekonomike, sociale e ekologjike?
Sharka: E papranueshme për ne është përmbytja nga mospastrimi i kanaleve kulluese. Edhe vitin e kaluar janë harxhuar 1 milionë euro, ndërkohë që banorët e fshatit Çiflik më tha se vetë banorët po pastrojnë kanalet për të shpëtuar të mbjellat. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi dhe ministri të mos dalë të thotë jemi duke monitoruar se atë punë e bëjnë emergjencat civile.



